17:28 / E Premte, 04 Maj 2018 / indeksADMonline

Limaj e Reçica në Gjilan, të bindur se asnjë familje në Kosovë nuk do të mbetet pa një anëtar të punësuar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj i shoqëruar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica kanë vazhduar takimet me familjet përfituese të asistencës sociale.
Më qëllim të jetësimit të projektit për punësimin e një anëtar të secilës familje që nuk e kanë asnjë të punësuar, Limaj dhe Reçica kanë mbajtur një tubim me familjet që ndodhën në skemën sociale në qytetin e Gjilanit.

Zëvendëskryeministri Limaj tha se është i vetëdijshëm se sa vështire e kalojnë muajin dhe më çka ballafaqohen familjet të cilat nuk e kanë asnjë anëtar të punësuar, megjithatë është shprehur i bindur se shteti do të ofroj mundësinë për punësim të gjithë atyre që duan të punojnë.
Numri dy i qeverisë së Kosovës i ka ftuar që të shkojnë në qendra të aftësimit profesional dhe të aftësohen për punë.

“Ne e dimë problemet më të cilat ballafaqoheni dhe shqetësimet që keni. Secili e keni nga një histori të veçante familjare, por në fund emëruesi është i përbashkët; asnjëri nuk jetoni mirë. Unë nuk jam fort it’htar me fole për probleme, por qysh me i zgjidhe këto probleme. Jemi këtu për të marr mbështetjen e juaj. Ne bashke duhet për të dalë nga kjo situatë e cila është e vështire për ju. MPMS dhe qeveria e Kosovës e ka fut në agjendën kryesore që familjet që kanë mundësi për punë ta kenë nga një anëtar të punësuar”, ka thënë Limaj.
Ministria këtë vit, sipas Limajt e ka ngritë për 20 % asistencën sociale, por kjo nuk e zgjidhë problemin.
“Jam ardhë për të iu thënë se papunë nuk shtyhet. Detyra jonë është më ua siguru punën e juve me punu. Shumë më mirë është më i marrë 200 e 300 euro duke punuar se sa me marr ndihmën sociale. Nëse jo për diçka tjetër me kriju shprehinë e punës”, ka shtuar Limaj.

Më tutje , Limaj ka thënë se nuk e kanë pasur vetëm për fushatë projektin çdo familje një të punësuar dhe se asnjë familje nuk do të mbetet pa një anëtar të punësuar, nëse janë të gatshëm për punë.

Sa i përket familjeve të cilat nuk mund të punojnë, ai është zotuar se shteti do t’u qëndrojë gjithmonë pranë.
E nga ana e tij, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se MPMS është e përkushtuar në zbatimin e normave ligjore dhe hartimin e politikave në rritjen e punësimit. Duke mos qenë të kënaqur me aq sa është bërë deri më tani për këto familje, ministri tha se është parë e nevojshme të niset me këtë projekt të rëndësishëm.

“Papunësia në Kosovë nuk do të mbetet vetëm brengë e juaja, kjo tashmë është brengë dhe përkushtim i yni, që ta luftojmë dhe mposhtim bashkërisht. Ju ftoj që këtë takim ta shohim bashkërisht si një partneritet i përbashkët, me qëllim të zbutjes së papunësisë”, tha ai.
Ky projekt, sipas ministrit, shkon përtej politikave të MPMS-së për punësim dhe ka përkrahje të fuqishme nga qeveria e vendit e veçanërisht nga zv/kryeministri Limaj.

“Një numër i konsiderueshëm i përfituesve, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike nuk kanë mundur të përgatiten profesionalisht. I ftoj të gjithë që të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional, për të marrë trajnimet e nevojshme në një mori profilesh që ofrohen aty”, tha Reçica.

Ministri tha se QAP-at janë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u aftësuar në një laramani profilesh që ofrohen në këto qendra dhe për t’u bërë pjesë e tregut të punës.

Reçica tha se, MPMS është në kontakte të vazhdueshme edhe me biznese dhe ndërmarrje të ndryshme të cilat kanë shfaqur gatishmërinë që të ofrojnë mundësi punësimi. Gjithashtu MPMS është duke punuar intensivisht me disa shtete të BE-së për mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të qytetarëve tanë.

“Rritja e punësimit është ndër prioritet tona kryesore dhe nuk do të lejojmë që të ketë familje pa asnjë të punësuar”, tha ministri.
Projektin çdo familjet nga një të punësuar, Limaj e kishte prezantuar në fushatën për zgjedhjet nacionale të vitit 2017.
Takime të ngjashme ditë më parë janë zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe Suharekë. Këso takime do të vazhdojnë të mbahen edhe në komunat tjera.

Temat: