11:15 / E Premte, 22 Qershor 2018 / k.v

Monopolistët e LDK-së

Fidan Rekaliu dhe Lirije Kajtazi janë dy kryetarët e Forumeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Rekaliu i forumit të Rinisë dhe Kajtazi e forumit të Gruas.

Të dy janë zgjedhur në Kuvende Zgjedhore sipas statutit të LDK-së, por tash e tre vjet asnjëri nuk i ka përmbushur obligimet që dalin nga ai statut. Asnjëri nuk ka as nënkryetar as sekretar.

Burime brenda LDK-së, thonë se Rekaliu duke mos dashur që t’i zgjedhë për nënkryetar dy të rinj me të cilët kishte bërë marrëveshje në Kuvend në këmbim të votës madje edhe në prani të nënkryetarëve Agim Veliu e Haki Rugova si dhe kryetarit Isa Mustafa, e ka lënë Forumin e Rinisë pa organe të kompletuara, duke mos dashur që t’ia prishë “taraqillëkun” vetes.

Njëjtë kishte vepruar edhe zonja Kajtazi. Ajo kishte zgjedhur kryesinë e Forumit të Gruas, por nuk i kishte zgjedhur dy nënkryetaret dhe sekretaren. Merret vesh se obligimet e Forumit, ajo i kryen me një grup lojal të saj të grave, duke i përjashtuar shpeshherë nga aktivitetet gratë me ndikim në LDK.

Të dy këta, monopolistë të pozitave brenda LDK-së, marrin pas vetes vetëm disa individë prej të cilëve këta kanë levërdi, duke mos qarë kokën fare për dy organizmat më të rëndësishëm të LDK-së.

Aktivistë të te dy forumeve të LDK-së, në kushte anonimiteti kanë treguar që këta shfrytëzojnë pozitat e tyre duke organizuar aktivitete të ndryshme brenda e jashtë Kosovës, ku natyrisht, i delegojnë vetëm besnikët e tyre, prej të cilëve besojnë se përfitojnë fuqi politike dhe vota në elektorat.

Fidan Rekaliu dhe Lirije Kajtazi mbajnë edhe pozitat në kryesi të LDK-së të cilat i kanë marrë me automatizëm pas zgjedhjeve në Forumet përkatëse.

Asnjëri nga ta nuk shquhet për ndonjë aftësi politike ose për ndonjë aktivitet në Kuvend a gjetiu, edhe pse kanë marrë vota të konsiderueshme për deputetë. Madje, thuhet se Rekaliut, njeri nga te rinjtë prominentë të Forumit ia shkruan edhe fjalimet që ai i lexon në Parlament.

Në vjeshtën e këtij viti, do të nisë procesi zgjedhor brenda LDK-së e gjithashtu edhe në Forumin e Rinisë dhe atë të Gruas. Merret vesh se të dy këta monopolistë të LDK-së kanë synim të rikandidojnë dhe të marrin edhe nga një mandat, e rrjedhimisht edhe nga një vend në kryesi të LDK-së.