14:06 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Në Komunën e Gjilanit rritën rastet e dhunës dhe grabitjeve

Premtohet rritje e bashkëpunimit në mes prokurorisë, gjykatës dhe policisë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, sot ka mbajtur takim me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan – Ramiz Azizi, drejtoreshën rajone të policisë në Gjilan – Elmina Mahmuti, komandantët e stacioneve policore, oficerët policorë dhe kryeshefin e hetimeve regjionale, me qëllim të luftimit të suksesshëm të kriminalitetit, duke intensifikuar metoda bashkëpunimi në mes këtyre institucioneve.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Maloku, fillimisht i ka falënderuar të pranishmit për bashkëpunimin e treguar, duke theksuar se falë koordinimit në mes tyre, në këtë regjion, edhe statistikat tregojnë se kriminaliteti në përgjithësi është në ulje.

Në këtë takim janë shtjelluar të gjitha çështjet, që kryesisht lidhen me punët e përbashkëta të këtyre institucioneve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë dinamikës së zhvillimeve të fundit që po ndodhin në këtë rajon.

Po ashtu, është diskutuar se gjatë muajve të fundit të këtij viti, përveç tjerave janë në rritje veprat penale ‘’Grabitje’’, ‘’Dhuna në familje’’, për të cilat, nga të njëjtit është premtuar për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme, të cilat do t’i kontribuonin ngritjes së efikasitetit, në kuadër të luftimit të këtyre rasteve dhe kriminalitetit në përgjithësi.

Në fund të takimit, të tri institucionet, shprehën admirimin e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm, duke u inkurajuar për ruajtjen dhe ngritjen e këtij bashkëpunimi, si dhe u pajtuan që takime të tilla të zhvillohen në intervale të rregullta mujore.