08:45 / E Premte, 25 Maj 2018

Rast i shenjëstruar: Vazhdon gjykimi për tenderin 6 milionësh të KEK-ut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet që të vazhdoj gjykimi për tenderin 6 milionësh të KEK-ut, ku të akuzuar janë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Në seancën e sotme pritet që të dëgjohen 5 dëshmitarë.

Në këtë proces gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i Prokurimit në KEK Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare e Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Tenderi 6 milionësh lidhej me sigurimin e objekteve të KEK-ut. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa Aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

Ky gjykim është një prej rasteve të shenjëstruara për liberalizimin e vizave.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

 

Temat: