14:22 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Reshitaj: Nuk e di saktë kush është ndotësi kryesor i ajrit

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani ka kërkuar sot nga ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj që të zbatojë ligjin dhe të mos jap këshilla koti për ndotjen e ajrit, pasi sipas tij, ato nuk zgjidhin problemin.

“Kjo ndotje vjen nga papërgjegjësia e organeve të drejtësisë që e kanë pru në këtë gjendje. Për mua, ministrja e Mjedisit me ato angazhimet e veta që thotë, ne e kemi miratuar ministër një ligj për Obiliqin, por ata të Obiliqit asnjëherë s’janë ankuar e jetojnë edhe sot aty. Nuk kemi ekzekutiv që merr masa, na kanë kundërshtuar kur e kemi nisë ligjin për Obiliqit, se thoshin që po bëjmë duplikime të ligjit. Ministre, zbatoje ligjin, merri masat, me ato task-forca që kam dëgjuar që ke fol nuk të zgjidhin probleme as ato. Sa ministrat e sa task forcat janë formuar, por me aso këshilla nuk është zgjedh asnjëherë. E kemi mësuar nga politika dhe praktika që Churchilli ka thanë se nëse nuk doni me zgjedh probleme, formoni këshilla”, tha Hasani.

Kjo deklaratë e Hasanit nuk i ka pëlqyer ministries Reshitaj, e cila ka thënë se nuk mund të konkludojë saktë shkaktarin e ndotjes së ajrit, pa pasur fakte shkencore.

‘E kam thënë dhe po vazhdoj ta them, unë ende nuk e di saktë se kush është ndotësi më i madh në Republikën e Kosovës. Për të ngre gishtin, unë që jam në krye të një ministrie, të një institucioni shtetëror, unë që vij nga fusha e shkencave ekzakte, nuk më lejohet të akuzoj apo të ngreh gishtin. Si një qytetare e thjeshtë mund të aludoj apo të paragjykoj se ndotësi më i madh është KEK-u apo nafta apo diçka tjetër, mirëpo për të udhëheqë një shtet ne duhet të bazohemi në fakte shkencore, ne duhet të bazohemi në hulumtime ekzakte, hulumtime të thukëta e pastaj të dalim e të konkludojmë”, u shpreh ajo.

Por, përsëri deputeti Nait Hasani replikoi ndaj fjalës së ministres Reshitaj, duke thënë se këto probleme me ajrin nuk janë të sotme, por kanë qenë edhe viteve të kaluara.

“Jam marrë me të gjitha këto problem që sot po flet, nuk janë të sotshme, nuk janë të para një muaji, dy apo tre muaj. Këto probleme ekzistojnë, ajrin e kemi të ndotur, nuk është këtu kiameti që u bënë këto tri ditë në Prishtinë. Ajri ka qenë edhe vitin e kaluar, ajri i ndotur është prej pasluftës nga cilësia e naftës, jo nga thëngjilli i KEK-ut”, tha Hasani.