18:02 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Thaçi për vrasjet e anëtarëve të LDK-së: Deklarata e Haradinajt, e papranueshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur të papranueshme, deklaratën e nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, i cili ka thënë se punë e madhe nëse janë vrarë aktivistët e LDK-së.

Kreu i shtetit në prononcim për KosovaPress, theksoi se çdo vrasje ka qenë dhe është e dënueshme, prandaj sipas tij, kjo deklaratë është e papranueshme.

“Unë duke mos dashur të ndërlidhem me këtë deklaratë, por atë që dëshiroj të potencoj është se të gjithë duhet t’i kontribuojnë mirëkuptimit, një vullneti të mirë, qetësisë, një uniteti politik dhe qytetarë. Çdo vrasje ka qenë dhe është e dënueshme. Prandaj, edhe kjo deklaratë tërësisht është e papranueshme”, tha Thaçi.

Në një debat televiziv pas një pyetje se këto vrasje janë politike, Haradinaj ka thënë “punë e madhe që janë vra të LDK-së. Politike koka, a? Pse politike. Hala s’është cilësu”.