11:38 / E Premte, 23 Shkurt 2018

​Kosova e gatshme për Poloninë

Përfaqësuesja A e Kosovës sot me fillim nga ora 19:00 do të përballet me Poloninë në qytetin Wloclawek në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Basketbollistët tanë prej 19 shkurtit janë në përgatitje të përbashkëta në Poloni, ku për tri ditë kanë qëndruar në qytetin Torun, derisa më pas janë zhvendosur në Wloclawek, ku edhe do të zhvillohet dueli me polakët.

Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës: “Lojtarët janë angazhuar maksimalisht gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve, të cilat është më se e qartë se nuk janë të mjaftueshme për të përgatitur një Përfaqësuese. Megjithatë djemtë kanë punuar mjaft mirë në stërvitje, atmosfera është shumë e mirë dhe besoj se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me Poloninë, ku presim se do të jetë një lojë mjaft interesante. Kemi dëgjuar se palestra do të jetë e mbushur dhe kjo është një gjë pozitive për lojtarët tanë, pasi ata do të jenë të motivuar për të luajtur para një publiku në numër të madh. Ekipi është në formë të mirë, andaj na mbetet që të hyjmë në fushë dhe të bëjmë më të mirën kundër një ekipi që është në pozitën e 28-të në botë dhe pse jo të mos tentojmë t’i befasojmë”.

Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës: “Mendoj se gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve e kemi bërë një punë të mirë që të gjithë. Tani na mbetet që të hyjmë në parket dhe të bëjmë maksimumin tonë. E dimë se nuk është aspak lehtë, e dimë se Polonia është një skuadër e fortë, por ne do të luajmë mirë dhe do të përpiqemi të nxjerrim rezultat pozitiv, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë”.

Pas ballafaqimit me Poloninë, Përfaqësuesja jonë do të udhëtoj drejt Lituanisë, ku në qytetin Klaipeda më 26 shkurt duke filluar nga ora 19:30 do të takohet me Lituaninë.

Duhet theksuar se Përfaqësuesja Kosovës në Dritaren e Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” ka regjistruar dy humbje, të parën në shtëpi nga Lituania, dhe të dytën si mysafire në Hungari.

Kosova është pjesë e grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Poloninë, Lituaninë dhe Hungarinë.

Temat: