Në familjen e komandant “Kapuçit” hiqet dhimbja, e shëroi formimi i ushtrisë
Sa herë vjen 14 dhjetori, në familjen e Halil Krasniqit nga Çabiqi i Klinës ka dhimbje, por edhe krenari.
Zemra e babait të Mujë Krasniqit deri më tani është ndier e ftohtë porsi bora e bardhë e cila kishte rënë 14 dhjetorin e vitit 1998.
Atë ditë në kufirin shqiptaro-shqiptar Halilit i ishin vrarë dy djemtë Muja dhe Aliu, dhëndri i tij Beqir Gashi dhe 40 luftëtarë tjerë të UÇK-së.
Por ky 14 dhjetor e gjen ndryshe familjen e komandant Kapuçit.
Përveç se kanë 20 vjetorin e rënies së djemve të tyre, kjo ditë është shumë e madhe për ta.
Arsyeja se sot do të votohet për ushtrinë e Kosovës, pasuese e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
Ata deklarojnë se 20 vjet kanë ndjerë dhimbje për shkak të mungesës së djalit të tyre, i vrarë në luftë nga forcat serbe, por që ajo dhimbje ka marrë fund me këtë hap të rëndësishëm që po bënë shteti i Kosovës, e që familja e ish-komandant Kapuçit, e konsiderojnë si hapin më të rëndësishëm në Kosovën e pavarur.
Babai i heronjve, Halil Krasniqi nuk arriti dot të përmbahet nga gëzimi që ndjente për faktin se Republika e Kosovës po bëhet me ushtri.
Shtëpia e tij mbrëmë ishte plot mysafirë. Miq të tij, e shokë të luftës së ish-komandant Kapuçit, ishin të shumtë në numër që vizituan plakun për përvjetorin e rënies së djalit.
Halil Krasniqi tha se po ndjehen më të fortë dhe më të lumtur se asnjëherë më parë.
“Jemi më të fortë se prej atë ditë që janë vrarë e deri më sot. Sot e nesër kemi me qenë më të fortë, më të lumtur me këtë ushtri tonën, me këtë liri e pavarësi që na e kanë pru. Nesër ne jemi më të fortë, më të mirë, më të lumtur, më të gëzuar, dhe të gjithë populli shqiptarë duhet me qenë kështu, me i njoftë ata djem që na e kanë pru lirinë në krye me Adem Jasharin. Kosova e pavarur, qe 20 vjet nuk kemi tutë, jemi të lirë. … Jam krenar së pari për Ademin, për Ushtrinë Çlirimtare tani për Mujën. Muja ka dasht me shku, me shokë, na ka lënë këtë liri, këtë rrugë, këtë ushtri me u ba”, thotë Halil Krasniqi.
Sot, Kuvendi i Kosovës voton për transformimin e FSK-së në ushtri, e kjo po bëhet në datën kur 20 vjet më parë ra Mujë Krasniqi, që konsiderohet një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së, dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.
Mujë Krasniqi dhe të tjerët u vranë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, dhe ngjarja atëherë u vlerësua si humbje e madhe për UÇK-në.
Megjithatë, komandant Kapuçi u bë motiv për shumë djem dhe vajza të reja, që të vazhdohet rruga drejt lirisë së vendit.
Sot, në 20 vjetorin e rënies, babai i tij, ani pse i shtyrë në moshë, mban mend fare mirë bisedat me djalin, e këto i rrëfen para KosovaPress-it.
“Mua më ka thënë, unë sot a nesër kom me vdekë, pa u ba ushtria, pa ardhë pavarësia, pa ardhë liria nuk ka çare. Çka e ka thënë e ka vepru….E ka dasht ushtrinë, e ka bërë veprën, na e ka lënë amanetin si duhet, na e ka lënë gjuhën siç duhet, na e ka lënë lirinë siç duhet, bashkë me shokë. Ushtar i Ademit ka qenë, dhe i gjithë Kosovës. ‘ Tha ngo, 10, 9,8,7,6,5, 4 e teposhtë kanë me mbetë, na krejt kemi me shku, pa u ba nuk ka çare. Ata që mbesin kanë me ba lirinë’”, tregon babai i Mujës.
Plaku Halil Krasniqi është i rrethuar nga kujtimi për të birin.
Në shtëpinë e tij, çdo kund janë të vendosura fotografi të ish-komandantit të UÇK-së dhe shokëve të tij të luftës.
“Ata që kanë vdekë nuk kanë shkuar për parti, ata kanë shkuar për liri dhe pavarësi. Gjaku i tyre na ka bërë këtë liri, qe 20 vjet askush nuk ka pas tutë. Para 20 vjet, kemi pas tute, tortura, vrasje, tash nuk jemi më në sund të Serbisë, sepse këta e kanë bërë. Që 20 vjet nuk e dëgjova dikë që tha u tuta, e ai që nuk i njeh këta ushtri, ai që nuk i njeh këta që kanë shkuar për ne, unë kam thënë le ta ndërron gjuhën, mos të flas shqip, letë bëhet argat i tjetër kujt”, tha ai.
Mujë Krasniqi mbahet mend si një prej projektuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe shok lufte i komandantit legjendar Adem Jashari.
Komandant Kapuçi kujtohet edhe në daljen e pare publike të UÇK-së, bashkë me Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn më 28 nëntor të vitit 1997.
Në përvjetorin e rënies së tij, dhe 40 bashkëluftëtarëve, u vendosë një pllakë përkujtimore në vendin ku ata ranë, në Gorozhub të Prizrenit
Në 20 vjetorin e rënies së komandant Kapuçit, Kuvendi i Kosovës po përfundon një proces shumë të rëndësishëm për vendin, po voton për formimin e ushtrisë së Kosovës.
E në familjen Krasniqi, qe 20 vjet nuk ka pas gëzim më të madh.
Për familjen Krasniqi, themelimi i ushtrisë është hapi më i rëndësishëm që po bënë Kosova, që siç thanë ata, po shkon në vend amaneti i ish-luftëtarëve të UÇK-së që u sakrifikuan për liri.