18:42 / E Martë, 12 Dhjetor 2017

​Sektori minerar në Kosovë me probleme të shumta

Sektori minerar në Kosovë përballet me probleme të shumta, ndonëse është sektori me potencialin më të madh për zhvillim ekonomik të Kosovës, është thënë sot në tryezën e organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, me temën “Sektori minerar në Kosovë – Sukses apo Dështim?”.

Këshilltar politik në MZHE, Ibrahim Rexhepi tha se sektori minerar në Kosovë është sektori kyç për zhvillimin e Kosovës, sektor strategjik, sektor që ofron hapësirë ku mund të thithen investimet dhe është sektor që mund të ketë ndikim në zhvillimin e shumë veprimtarive të tjera.

Por që ai tha se nëse flasin për gjendjen e deritanishme, ndoshta ka një lëvizje, por realisht sektori me potencialin më të madh, nuk është në nivelin që ka mund të jetë, sipas tij më afër është dështimi sesa suksesi.

“Të marrim minierat e qymyr, sot e kemi një situatë shumë të rëndë energjetike, e cila ndërlidhet pikërisht me qymyrin në vendin me rezerva më të mëdha të qymyrit, është rreziku i një krize energjetike për shkak të mungesës së qymyrit, të eksplantimit të qymyrit. Pse, sepse nuk janë kryer me kohë punët, që kjo të jep me kuptua që nuk ka një konsistencë në zbatimin e politikave dhe implementimin e vendimeve, nuk ka konsistencë në respektimin e afateve, por edhe në parashikimin e rreziqeve që mund të jenë. Njësoj është edhe çështja në Trepçë, Trepça në bazë të disa shifrave por nuk paraqet as 20 për qind të potencialit që ka. Po flas edhe tek pjesa e minierave, por edhe e plantacionit, mos të flasim për pjesën tjetër të përpunimit”, tha ai.

Ai tha se në ministri janë drejtuar disa vija, ku realisht duhet të fokusohen në mënyrë që të fillojë të lëviz diçka, që ky sektor të jap efektet të cilat vërtet i ka.

Kryetari i Bordit të KPMM-së, Musa Shabani tha se mineralet metalore dhe energjetike kanë probleme me licencat, ndërsa tregoi edhe arsyet se pse ka probleme.

“Zonat me interes të veçantë të shpallura nga 2008 nga qeveria, kanë mbetur zona të bllokuara, gjithashtu janë edhe zonat e Trepçës, apo licencat e Trepçës, të cilat janë të pezulluara për shkak se ligji për rikonstruktimin e Trepçës, i cili është miratuar vitin e kaluar nga Parlamenti. Ende nuk është venë në zbatim dhe këto zona kanë mbetur me një status të pezulluar, dhe ende ne si Komision i Pavarur për Miniera dhe Minerale, përkundër që ka kompani të interesuara për këto zona, ende nuk mundemi me dhanë licencë. Kurse për minerale energjetike, gjithashtu deri sot nuk ka asnjë licencë, përveç licencave të KEK-ut edhe pse edhe në këtë sektor ka pasur të interesuar për eksplantim të qymyrit për produkte të ndryshme”, tha ai.

Ai tha se në përgjithësi licenca të lëshuara në Kosovë deri sot, sipas statistikave janë gjithsej 532 subjekte. Licenca të hulumtimit janë 172, prej të cilave për guri të fortë janë 74, material industrial janë 24 dhe minerale metalike janë 59 licenca në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës së Afarizmit të Kosovës, Ismet Mulaj tha se ka pasur strategji të hartuara prej Qeverisë së Kosovës, por që sipas tij nuk kanë qenë strategji në bazë të nevojave që i ka biznesi.

“Ka pasur strategji të hartuara prej Qeverisë së Kosovës, por jo strategji në bazë të nevojave që i ka biznesi, se a është me ma prioritet me ia dhënë dikujt që ka 50 milionë euro interes me investuar, për shembull dhe me ja dhënë tokën për 9 vite, apo me ja dhënë dikujt për pesë vite e me i investua 10 milionë, e masë pesë viteve me ja marrë këtë, se nuk mundet me ia rivazhduar kontratën. Këto janë problem i strategjisë. Së dyti, institucionet mekanizmat, të cilët kryejnë shërbime për biznesin, të jenë mekanizma efikas dhe transparent, demokratik, që kryejnë shërbime për ju, për shkak se pa zhvillim të bizneseve nuk ka me pas mirëqenie. Së treti po ju premtoj, se si Odë e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me këto institucione që i kemi, që i ka mandatuar ligji, do t’i shtyjmë këto kërkesa përpara”, tha ai.

Ndërsa, tha se rastet individuale janë të interesuar t’i përdorin për raste studimore, për të treguar se çka ka ndodhur në të kaluarën që të mos përsëriten në të ardhmen.

Xhemil Luma nga fabrika “Li Kos”, tregoi eksperiencën e tij për fillimin e një fabrike për prodhimin e tjegullave në bashkëpunim me një investitor të jashtëm, por që ky projekt mbet në gjysmë, për shkak të kërcënimeve të investitorit dhe sulmit fizik që i kishte ndodhur vetë Xhemil Lumës.

“Ka qenë një investitor jashtëzakonisht serioz për ngritjen e një fabrike për prodhimin e tjegullave, 12 milionë faza e parë dhe 7 milionë faza e dytë. Të gjitha dokumentet janë marrë dhe gjatë aktivitetit të rrafshimit të themelit dhe kur kam shkuar mi hap themelet, kam hasur në një situatë jo të këndshme, ka qenë një sulm fizik, kam pasur lëndime të rënda trupore dhe kanë qenë kërcënimet me jetë edhe të investitorit nga jashtë. Projekti është ndërprerë, por çka me brengos edhe dëshpërimi më i madh, ka qenë që të gjithë ata me të cilët kemi qenë bashkë dhe i kemi lutur investitorët e huaj me ardhur, të gjithë kanë heshtur dhe nuk kam pasur kurrë një përkrahje prej institucioneve”, tha ai.

Nga fabrika “Guri”, Asllan Bilalli tha se katër kompani të huaja i ka sjellë në Kosovë për të bashkëpunuar, por që të gjithë kanë ikur, se nuk ka gjet bashkëpunim tek institucionet e Kosovës.

“Katër kompani të huaja i kam sjellë me bashkëpunuar, të katërtat më kanë ikur. Vitin e kaluar në Ministrinë e Zhvillimit vet kam qenë me njerëz me kompani shumë të fortë, kur kam shkuar hajde me e adresua për me ma dhënë ata një përkrahje dhe së pakti ata me ditë se ku janë duke punuar. Besomi kur kam hyrë të lajmërohem gjashtë ditë rregullisht nuk kam mundur të vij në rend. Pas gjashtë dite një person tek dera më ka thënë ‘lej ti shënimet, nëse ministri ka interes të thërret’. Kam shkuar në Parlament kam kërkuar një ndihmë, se kështu i kam investitorët amani ju koftë, nuk njoh shumë ligje, përkrahmëni jo financiarisht, moralisht, njerëzisht. E njëjta fjalë ‘lej shënimet këtu, nëse kemi interes të thërrasim”, tha ai.