Serbët optimistë se do t’i vizitojë Hahn, marrin mbështetje nga Apostolova
Deputetët e Listës Serbe që nga mbrëmë janë duke qëndruar të mbyllur në hapësirat e grupit të tyre parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Ata janë të vendosur që të qëndrojnë të “ngujuar” derisa të takohen me komisionarin evropian për Zgjerim Johannes Hahn.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq tha se e kanë marr konfirmimin nga zyra e BE-së se kanë pranuar kërkesën e tyre për takim me komisionarin evropian, por që ende nuk e dinë se a do takohem me të apo jo.Simiq tha se përmes këtij takimit duan t’i tregojnë Evropës se sa e dëmshme është taksa 100 përqind ndaj produkteve serbe.Simiq u ankua se askush nga zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk i ka takuar ata, si dhe nuk kanë gjetur përkrahje nga deputetët shqiptarë.
Gjatë ditës deputetët e Listës Serbe janë vizituar nga shefja e zyrës së BE-së Natalya Apostolova.
Ajo pas takimit tha se sot i ka dëgjuar nga afër shqetësimet e deputetëve serb.Apostolova ndonëse nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimit të deputetëve serbë me komisionarin Hahn, shtoi se agjenda e tij është mjaft e ngjeshur.E pyetur nëse komisionari Hahn do të luajë rol në përfundimin e protestës nga ana e Listës Serbe, ajo tha se për këtë ende nuk mund të flasë.
Apostolova u shpreh se mesazhi i komisionarit evropian në Kosovë është i qartë se kjo taksë po e dëmton Kosovën dhe se Kosova me këtë vendim po i thyen ligjet ndërkombëtare.Ndryshe, deputetët e Listës Serbe që nga mbrëmë janë duke protestuar në Kuvendin e Kosovës si kundërshtim ndaj taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.