17:04 / E Diele, 22 Mars 2020

​Skena tmerri nga Italia: Pacientët konsiderohen në rrezik vetëm para se të vdesin

Spitali Papa Gjon XXII në Bergamo është spitali më i ngarkuar me pandeminë e koronavirusit.

Ky qytet ndodhet në veri të Italisë, në provincën e Lombardisë, e cila është zona më e prekur nga koronavirusi.

Skenat nga ky spital janë të tmerrshme. Korridoret janë të mbushura me shtretër spitalor me pacientë që përpiqen të marrin frymë.

Stafi mjekësor i veshur me maska, dorëza dhe kostume mbrojtëse janë me nxitim të vazhdueshëm.

Gjithçka është e mbushur me pacientë me koronavirus, përfshirë dhomat e pritjes. Numri i pacientëve të sapoardhur nuk po zvogëlohet, dhe e njëjta gjë po ndodh në të gjithë Italinë veriore.

Spitalet po humbasin betejën me virusin. Stafi punon pa pushim në përpjekje për të ruajtur sa më shumë pacientë, për t’i shpëtuar nga vdekja.

Ata mblidhen rreth pacientëve të sapoardhur për të vendosur monitorët e tyre për matjen e rrahjeve të zemrës, infuzionit dhe, më e rëndësishmja, respiratorët. Pa ata, pacientët nuk mund të mbijetojnë.

Duket sikur jeni në njësinë e kujdesit intensiv dhe në të vërtetë jeni në departamentin e urgjencës. Kujdesi intensiv tashmë është plot.

Të gjitha departamentet janë aq të mbushura sa që rastet shumë të vështira nuk konsiderohen kritike derisa janë në prag të vdekjes. Të infektuarit vazhdimisht vijnë, transmeton KosovaPress.

Stafi mjekësor ka vështirësi në komunikimin me pacientët përmes respiratorëve.

Ata janë të dobët, mezi flasin dhe janë shurdhuar nga zhurma në spital dhe rrahjet e vazhdueshme të zemrës së monitorit.

Detyra e frymëmarrësit është të barazojë sasinë e oksigjenit në mushkëri.

Mjekët thonë se Covid-19 nuk prek trupin njësoj si gripi. Përkundrazi si pneumonia kronike, e cila prek qindra jetë çdo ditë. Roberto Cossentini, shefi i Departamentit të Men axhimit të Urgjencës dhe Pritjes, thotë se kurrë nuk kanë parë këtë lloj gjendjeje.

“Kjo është një pneumoni jashtëzakonisht e rëndë që po rëndon të gjithë sistemin shëndetësor, pasi që çdo ditë kemi 50-60 pacientë të rinj, të cilët janë në gjendje të rëndë dhe shumica prej tyre kërkojnë një sasi të madhe oksigjeni”, zbuloi Cossentini për Sky News.

Mjeku Lorenzo Grazzioli pranon se kontaktohet nga kolegë nga jashtë dhe është i shqetësuar. Ai i nxit vendet e tjera të ndjekin shembullin e Kinës dhe Italisë dhe të mbyllin gjithçka. Kështu, përhapja e infeksionit do të ngadalësohet, megjithëse nuk e mposht virusin.

“Në jetën time nuk kam qenë aq i stresuar. Njerëzit janë në gjendje kritike. Ata vdesin pa trajtim. Tani kemi arritur të mendojmë nëse po veprojmë sa duhet. Ne kemi 100 anestezikë dhe po përpiqemi të bëjmë më të mirën, por mbase nuk është e mjaftueshme, “thotë Grazzioli.

Laboratori i spitalit të Bergamos po vazhdon testimin e viruseve për të gjetur një mënyrë për ta ndaluar. Megjithatë, stafi thotë se nevojitet edhe shumë kohë.

Gjendja në Bergamo po quhet një apokalips dhe mjekët italianë i dërgojnë një mesazh botës: “Bëhuni gati”.