17:38 / E Mërkurë, 20 Maj 2020

​Vaksina antiCOVID-19 prodhon antitrupa në minj dhe derra

Kompania e imunoterapisë amerikane Inovio Pharmaceuticals deklaroi sot se vaksina e tyre eksperimentale ndaj koronavirusit është treguar që prodhon antitrupa mbrojtës dhe forcon aktivizimin e sistemit imunitar në minj dhe derra.

“Ne kemi parë një reagim të antitrupave që bën shumë gjëra që dëshirojmë t’i shohim në një vaksinë të ardhshme,” tha David Weiner, drejtori i Qendrës së Vaksinave dhe Imunoterapisë së Institutit Wistar, i cili punon me Inovio, duke shpjeguar se shkencëtarët zbuluan antitrupa në mushkëritë e kafshëve të vaksinuara.

“Ne mund të synojmë gjëra që do të parandalojnë që virusi të gjejë një strehë të sigurt në trupin tonë,” shtoi Weiner.

Inovio, i cili filloi të testonte vaksinën te njerëzit në prill, njoftoi se rezultatet paraprake të testit priten në qershor, transmeton KosovaPress.

Në fazën e parë, 40 pjesëmarrës morën dy doza të vaksinës INO-4800, katër javë larg, pas së cilës u vëzhguan për dy javë.

Sipas Katherine Broderick, drejtuese e hulumtimit dhe zhvillimit në kompani, tashmë janë marrë të dhëna për sigurinë e vaksinave, dhe reagimi i vetëm nga disa pjesëmarrës ishte një skuqje e lehtë e dorës.

Kur të arrijnë të gjitha rezultatet paraprake, Inovio do të kërkojë leje nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të kaluar në fazën e dytë dhe të tretë të testimit në korrik ose gusht.

Inovio thekson se për vaksinat që po zhvillohen për MERS dhe INO-4800 për koronavirusin e ri SARS-CoV-2, po përdoret teknologji më e re që synon gjenet specifike në pjesën e jashtme, të theksuar të virusit.

Inovio tani planifikon të provojë vaksinën te kafshët më të mëdha, përfshirë lepujt dhe majmunët. Kafshët do të infektohen qëllimisht nga virusi, dhe atëherë do të shihet nëse vaksina do të parandalojë infeksionin.