13:54 / E Premte, 09 Shkurt 2018 / indeksADMonline

​​Nuk miratohet raporti për gjendjen e mjedisit në Kosovë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016, por që nuk kanë arritur ta miratojnë për shkak të mungesës së kuorimit.

Megjithatë, gjatë debatit pati kritika për mos ndërmarrje të masave për ndotjen e ambientit në Kosovë. Sipas deputetëve, shtretërit e lumenjëve vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe, derisa ajri vazhdon të jetë alarmant për shëndetin e qytetarëve dhe secilin vit po diskutojnë për të njëjtin problem.Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, e ka quajtur vetëm një pjesë ndotjen e ajrit dhe ambientit në Prishtinë, për të cilin diskutuan gjatë javën e kaluar, në raport me gjendjen e cila ndodhet në tërë Kosovën.Sipas Kurteshit, Kosova e ka ligjin për mbrojtje të ambientit, sidomos të ndotjes së ajrit nga viti 2010, derisa vetëm në vitin 2018 po diskutojnë për një gjendje alarmante e të rrezikshme për shëndetin e njeriut.Deputeti Andin Hoti nga PDK tha se ky raport paraqet gjendjen reale në Kosovë, pasi janë dëshmitar të asaj se çfarë po ndodhë me mjedisin në Kosovë me degradimin e lumenjëve dhe tokave bujqësore.

Ndërsa, deputeti i Nisma për Kosovën, Enver Hoti tha se gjendja e mjedisit në Kosovës është e rëndë për shkak të faktorit njeri.

Deputeti i grupit parlamentar 6+, Danush Ademi, ka kërkuar nga institucionet që të merren edhe me komunitetet në Kosovë të cilët çdo ditë shkojnë nëpër kontejnerë dhe vrapojnë pas kamionëve që dërgojnë bërllogun nëpër deponi për të siguruar bokën e gojës. Ai ka pyetur nëse edhe për ta është ajri i ndotur.
Deputetët patën kritika edhe për vonesën e shqyrtimit të këtij raporti. Deputeti Xhelal Sveqla e ka vënë në dilemë dobinë e debatit për ambientin, meqë po diskutohet për raportin e vitit 2016 në mes të muajit shkurt të vitit 2018.

Sipas tij, nga viti 2016 situata ka ndryshuar për keq, prandaj ka nevojë për angazhime shtesë.Kurse, kryesuesi Xhavit Haliti, tha se ata që nuk marrin pjesë në seancë do të penalizohen.Vazhdimi i seancës do të jetë të martën në orën 10:00, për të diskutuar rreth pikës 12, e 10 dhe e 9 e rëndit të ditës dhe votimi i pikës 14, pasi nuk pati kuorum për votim.