17:41 / E Diele, 27 Maj 2018 / indeksADMonline

​​Qytetarët e Vushtrrisë të pakënaqur me rrënimin e Qendrës së Kulturës (Foto)

Sot në Vushtrri është rrënuar kujtesa shoqërore e qytetarëve të Vushtrrisë, për ta ndërtuar një objekt të ri e që në arkitekturë njihet si Kitsch ose “alla Shkupi”.

Kështu ka vlerësuar arkitekti vushtrrias, Bledian Salihu, me rastin e rrënimit të Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, në Vushtrri.

Ai në një përgjigje me shkrim ka thënë se edhe salla e teatrit e cila nuk përfshihet në demolim, rrezikon të rrënohet nga punëtorët.Madje në llogarinë e tij në Facebook, Salihu ka ftuar të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që të reagojnë ndaj këtij akti, që sipas tij, është kundër rrënimit të vlerave njerëzore. Edhe qytetarët e Vushtrrisë të cilët kishin dalë për të parë nga afër rrënimin e këtij monumenti kulturor, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me këtë vendim të komunës. Besim Maxhuni  duke u shprehur i pakënaqur tha se sikur të ishin pyetur qytetarët, një gjë e tillë nuk do të ndodhte.

Për Rizah Muzaqin rrënimi i Qendrës së Kulturës, nuk është aspak në rregull edhe për faktin se rrënime të tilla siç thotë ai, duhet të kryhen natën, kur nuk rrezikohet jeta e qytetarëve.Ndërsa Enver Pushkolli thotë se kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, ka bërë shkelje të ligjit, pasi që siç thotë ai, aty nuk do të ndërtohet objekt kulturor.Kurse Avdi Maliqi duke folur lidhur me këtë çështje, ka kujtuar kohën kur ka kaluar kohën duke shikuar filma të ndryshëm.

Ai ka shtuar për KosovaPress se rëndësia e shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina” është shumë e madhe, pasi që nga kjo e fundit kanë dalë shumë figura të shquara shqiptare.

Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është shprehur i gatshëm të publikojë dokumentet e tenderimit, derisa ka deklaruar së një gjë të tillë do ta bëjë ditën e hënë. Lidhur me rrënimin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, i pari i Vushtrrisë ka reaguar edhe në Facebook, ku ka thënë se kjo ka qenë një punë e trashëguar nga qeverisja e kaluar. Teksa ka theksuar se 5 ditë para marrjes së detyrës, qeverisja e kaluar ka shpallur fituesin e tenderit.Ai ka siguruar qytetarët e Vushtrrisë se po bëjnë gjithçka që ti kthehet identiteti kulturor e historik qytetit. Derisa ka shtuar se falë reagimit qytetarë dhe të LDK-së në Kuvendin e Komunës, është shmangur ndërtimi i banesave kolektive në vend të Shtëpisë së Kulturës, siç ka qenë ë paraparë nga qeverisja e kaluar.