19:15 / E Enjte, 25 Tetor 2018 / indeksADMonline

​Akuzat për përdhunim, Agnelli nuk shqetësohet për Ronaldon

Presidenti i Juventusit Andrea Agnelli ka dalë në mbështetje të Cristiano Ronaldos pasi superylli i futbollit përballet me një akuzë për përdhunim në SHBA.

Agnelli, i biri i ish-drejtorit të Fiat, Umberto Agnelli dhe një anëtar i bordit të makinave italiane, foli të enjten në një takim të aksionarëve të klubit në Torino.

“Jam shumë i qetë, pasi kam folur drejtpërdrejt me të sapo doli problemi. Sjellja e tij në ditët dhe javët që pasuan vetëm konfirmon ndjenjën time fillestare”, u shpreh ai.

Kathryn Mayorga paraqiti një padi civile muajin e kaluar në Nevada duke pretenduar se Ronaldo e përdhunoi atë në dhomën e tij të hotelit në Las Vegas në vitin 2009. Policia gjithashtu rihapi një hetim mbi pretendimin me kërkesën e saj.

Ronaldo e mbrojti veten kundër akuzës në një konferencë shtypi përpara një ndeshje të Ligës së Kampionëve këtë javë. Avokati i tij, Peter S. Christiansen, lëshoi një deklaratë më 10 tetor duke mohuar keqbërjen nga klienti i tij.

Disa nga sponsorët e korporatave të Ronaldos, duke përfshirë Nike dhe krijuesin e lojërave video EA Sports, kanë shprehur shqetësim në lidhje me akuzat për përdhunim.

“Është një rast personal dhe zgjedhjet i përkasin atij. Ne jemi këtu për ta ndihmuar dhe mbështetur atë në çdo mënyrë”, tha Agnelli, i cili është gjithashtu president i Shoqatës së Klubeve Evropiane.

Në korrik, Ronaldo u largua nga Real Madrid pas nëntë vitesh për të kaluar në Juventus, një lëvizje që i kushtoi klubit italian 112 milionë euro.

“Ai na lejon të arrijmë një audiencë më të gjerë dhe na lejon të konsolidojmë pozicionin tonë brenda industrisë sportive,” tha shefi i të ardhurave të Juventus Giorgio Ricci.

Në fushë, Ronaldo vazhdon të ndihmojë Juventusin të fitojë lojëra. Lojtari portugez ka shënuar pesë gola në 11 ndeshje këtë sezon./IndeksOnline/