21:14 / E Hënë, 10 Janar 2022 / LB

​BE paralajmëron sanksione për shkak të krizës politike në Bosnjë

BE sonte dënoi ashpër retorikën negative dhe nxitëse të përdorura nga krerët e Republikës Serbe gjatë festimeve të paligjshme të 9 janarit, duke thënë se aktivitete të tilla kërcënojnë stabilitetin e BeH dhe rrugën evropiane dhe mund të çojnë drejt vendosjes së sanksioneve.

Brukseli u bëri thirrje krerëve politikë të BeH-së, duke përfshirë udhëheqjen e Republikës Serbe t’i japin fund “hapave të papranueshëm të ndarjes dhe t’i kthehen punës së institucioneve shtetërore”.

“Retorika dhe veprimet e papranueshme kanë rritur më tej tensionet midis komuniteteve në të gjithë vendin dhe kanë përshkallëzuar më tej krizën e vazhdueshme politike. Kjo kërcënon stabilitetin dhe prosperitetin e vendit dhe është në kundërshtim të plotë me perspektivën e tij në BE, e cila mund të bazohet vetëm në një BeH të bashkuar dhe sovrane,” tha Peter Stan, zëdhënës i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Në deklaratë thuhet se festimet në RS nuk janë në përputhje me Kushtetutën e BeH, siç vendoset nga Gjykata Kushtetuese e BeH dhe kujton se BE-ja i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqjes së RS-së që mosmarrëveshjet t’i zgjedhë përmes dialogut dhe mjeteve juridike në institucionet shtetërore.

“Udhëheqja e Republikës Serbe duhet të kontribuojë për t’i dhënë fund prirjes shqetësuese të urrejtjes dhe mos tolerancës. Kjo duhet të përfshijë fundin e glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimin ose glorifikimin e krimeve të tyre,” tha EEAS në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se BE shpreh keqardhje për mbështetjen e dhënë nga partnerët e tjerë ndaj manifestimeve që kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe ndikojnë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Në Bruksel thonë se bllokada e vazhdueshme e institucioneve të BeH, mungesa e dialogut konstruktiv dhe përdorimi i retorikës nxitëse në publik çojnë në paqëndrueshmëri dhe vonesa në arritjen e reformave të rëndësishme për BeH dhe një jetë më të mirë për popullin e saj.

“Nëse situata në BeH përkeqësohet, BE ka një gamë të gjerë mjetesh në dispozicion, duke përfshirë kornizën ekzistuese të sanksioneve dhe një rishikim të ndihmës së përgjithshme të BE-së”, thonë zyrtarët e BE-së.