Fishekzjarre dhe mesazhe miqësie në Prishtinë, për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së
Një natë madhështore që kremtoi 2 shekuj e gjysmë të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u organizua sonte në Prishtinë.
Nën patronatin e të ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, aleati më i madh i Kosovës kremtoi jetëgjatësinë e vazhdueshme të demokracisë, multikulturalizmit dhe fuqisë, shkruan IndeksOnline.
Pjesëmarrës në kremtë ishin ish-presidentë, qeveria në detyrë, politikanë e deputetë, pjesëtarë të organizatave, shoqërisë civile, Policisë së Kosovës dhe ushtrisë.
Përpara të pranishmëve, Prattipati, u shpreh se SHBA-ja ka pak miq si populli i Kosovës.
“Historia jonë na ka lidhur si kombe me të njëjtat qëllime dhe parime që ndajnë të njëjtat qëllime dhe parime. Kosova gjithmonë ka qëndruar në krah të Shteteve të Bashkuara, duke mbështetur prioritetet tona, duke kontribuar në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, në Bordin e Paqes, duke investuar në arsim dhe teknologji. Po kështu, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës. Ne qëndrojmë në krah të Kosovës në përpjekjet e saj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Ne qëndrojmë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të krijuar një ekonomi të begatë që tërheq investime dhe zgjeron mundësitë për të gjithë qytetarët e saj, dhe mezi presim të forcojmë partneritetin tonë, duke përfshirë edhe përmes rritjes së tregtisë që çon përpara prosperitetin e përbashkët. Sepse një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë nuk është vetëm e mirë për popullin e Kosovës, por është e mirë për Evropën dhe për botën” tha ajo, përpara të pranishmëve.
Nga ana tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në historinë e Kosovës, duke thënë se mbështetja amerikane ka qenë përcaktuese në rrugëtimin drejt lirisë dhe ndërtimit të institucioneve të shtetit.
“Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, pasi ndryshoi rrjedhën e historisë sonë. Kjo liri u bë Republika e Kosovës. Ajo mori formë përmes institucioneve, zgjedhjeve, gjykatave, forcave të sigurisë dhe rendit kushtetues që u përket të gjithë qytetarëve të saj. Në 250-vjetorin e pavarësisë së Amerikës, ne nderojmë Shtetet e Bashkuara, para së gjithash për idenë mbi të cilën ajo u themelua: që pushteti duhet t’u japë llogari qytetarëve. Për shqiptarët dhe për Republikën e Kosovës sot, kjo ide u bë realitet përmes historisë. Ajo u bë realitet kur udhëheqja amerikane ndihmoi që e drejta për liri të shndërrohej nga një kërkesë në një të ardhme”, tha Haxhiu.
Nata e këmbimeve të ndryshme mbi shoqërinë, politikën, punët dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor, u kurorëzua me shfaqje fishekzjarrësh.

