20:12 / E Hënë, 06 Prill 2020 / indeksADMonline

​Cramon – Mustafës: Të gjithë e përkrahin integrimin në BE – jo vetëm të majtët

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i është kundërpërgjigjur sot kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, pas deklarimeve të këtij të fundit, se “A është raportuesja për Kosovën në PE, raportuese për krejt Kosovën apo raportuese e një partie politike të majtë, ashtu siç po sillet!?

Cramon ka shkruar në Twitter se politikanët, pa marrë parasysh nga cila familje politike vijnë, janë duke u munduar që të bëjnë të mundur integrimin në BE, reformat e stabilitetin, jo vetëm të majtët.

“Jam e lumtur t’i tregoj Isa Mustafës se Parlamenti Evropian qëndron në anën e tij për aspiratat e Kosovës në BE. Ai nuk duhet të shqetësohet, pasi politikanët nëpër familje të ndryshme të partive, përfshirë atë nga vjen edhe partia e tij, familja e Partive Popullore Evropiane, janë të vendosur për integrimin në BE, reformën, stabilitetin dhe institucionet funksionuese, jo vetëm të majtët”, shkruan Cramon.

Ndryshe, Mustafa dje në një postim në Facebook, ndër të tjera, tha se ‘a është raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, raportuese për krejt Kosovën apo raportuese e një partie politike të majtë, ashtu siç po sillet!?’