16:38 / E Shtunë, 01 Tetor 2022 / MSH

​Gjetja e dy vajzave të zhdukura, flasin nga Prokuroria e Pejës

Dy vajzat që u raportuan si të zhdukura një javë më parë në Pejë janë gjetur në orët e hershme të së shtunës, kjo është bërë e ditur nga Policia e Rajonit të Pejës.

Të njëjtat kanë deklaruar se janë larguar nga shtëpia me dëshirën e tyre dhe se s’kanë pasur ndonjë kërcënim apo detyrim gjatë kohës që nuk kanë qenë të qasshme.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka deklaruar për KosovaPress se vajzat janë kthyer shëndoshë e mirë dhe janë lajmëruar në stacionin policor.

Ai tha se Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë veprime se mos ka ndonjë element të veprës penale të rastit në përgjithësi.

“Vajzat janë kthyer mbrëmë shëndoshë e mirë dhe janë lajmëruar në stacionin policor të Pejës. Të njëjtat kanë deklaruar se nuk kanë qenë nën presionin apo kërcënimin dhe detyrimin e ndonjë personit gjatë kohës sa kanë qenë të pa qasshme. Ndërkaq të njëjtat kanë shprehur vullnetin e tyre që të mos kthehen në shtëpi por janë dërguar në shtëpi të sigurtë. Ajo çfarë mund të konfirmoj është se Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë veprime se mos ka ndonjë elemente të veprës penale të rastit në përgjithësi”, ka deklaruar Nikqi.

Ndërkaq, nëpërmjet një njoftimi për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kohës sa kanë qenë të zhdukura dy vajzat, kanë qëndruar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Qungur të komunës së Pejës.