75 Mall Live Search
19:45 / E Hënë, 07 Maj 2018 / indeksADMonline

​Haradinaj: Do t’u qëndrojmë pranë familjeve të policëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është e dhimbshme dhe trishtuese ngjarja ku dy policët Armend Trena dhe Malsor Dashi, në krye të detyrës, në rrethana ende të panjohura plotësisht, ranë në lumin Lepenc.

Policët Armend Trena dhe Malsor Dashi, kanë humbur jetën më 29 prill, në një aksident komunikacioni, vetura në të cilën ndodheshin dy policët ka rënë në lumin Lepenc.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Gjetja e trupit të policit Armend Trena pas 10 ditë kërkimesh, po e përmbyllë rrugëtimin plot ankth, për gjithë ata që pa ndalë u angazhuan ditë e natë dhe pa kursyer asgjë për të kërkuar me ngulm në lumin e rrëmbyer trupat e tyre. E dhimbshme dhe trishtuese e gjithë ngjarja, ku dy policët tanë Armend Trena dhe Malsor Dashi, të rinjë dhe në krye të detyrës, në rrethana ende të panjohura plotësisht, ranë në lumin Lepenc. Ndajmë dhimbjen me familjarët e policëve për këtë tragjedi që u ndodhi dhe si Qeveri e vendit, zotohemi që do t’u qëndrojmë pranë për t’u përballur me humbjen e më të dashurve të tyre. Një falenderim i veçantë për gjithë njesitet e Policisë, FSK-së, Njësitet e Emergjencave, zhytësit, vullnetarët, për gjithë ato vajza e djem që nuk u dorëzuan për t’i gjetur trupat e pajetë të policëve tanë.

Armend dhe Malsor, pushoni të qetë! U qoft i lehtë dheu i Kosovës.