13:07 / E Martë, 20 Tetor 2020 / indeksADMonline

​Hoti në Klinë, flitet për rrugën transit, që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi kanë vizituar Komunën e Klinës.

Pas takimit që zhvilluan me kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezaj, kreu i Ekzekutivit, Avdullah Hoti ka lavdëruar këtë komunë për menaxhim të pandemisë.

Hoti tha se projekti i rrugës transit si edhe projekti për ujë të pijshëm tashmë janë në rrugë të mbarë për t’u realizuar. Veç këtyre, Hoti ka folur edhe për çështjen e personave të pagjetur.

“U dakorduam për projektin që përfshinë rrugën transit, që lidhet me autostradën Kievë-Zahaq, që tejkalon qytetin e Klinës për të evituat tollovinë, e dyta furnizimi me ujë që ka kohë që nuk është zgjidhur për komunën e Klinës dhe tani besoj se është në rrugë të mbarë me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit do jetë pjesë e buxhetit 2021 dhe besoj do përmbyllet njëherë e përgjithmonë kjo çështje. Komuna e Klinës dhe disa komuna të tjera e kanë dhe është shumë e ndjeshme çështja e personave të pagjetur jemi duke punuar shumë me Komisionin qeveritar”, tha ai.

Për projektet kulturore dhe sportive që dedikohen për Klinën foli ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila tha se kjo komunë më herët nuk ka qenë e përfshirë në buxhetin e kësaj ministrie.

E sipas saj projektet që kërkojnë investime kulturore dhe sportive për klinasit do të përfshihen në buxhetin e vitit 2021.

“Fusha për tenis, fushë basketbolli te parku i qytetit e gjithashtu është edhe shtëpia e Kulturës ku do i ndihmojmë që të realizohet një kinema e qytetit janë disa nga projektet që do të bëjmë. Kurse, në pjesën e trashëgimisë kulturore në Dresnik është një park shumë unik ku paraqitet një park mozaik me mijëra vjeçar dhe do vazhdojmë punimet edhe në pjesën e arkeologjisë. Kërkesa janë edhe për dy kulla të cilët i takojnë pjesës së trashëgimisë edhe me ato do procedojmë dhe do i kryejmë bashkë”, tha ajo.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, tha se kjo komunë ka arritur ta menaxhojë mirë pandeminë Covid-19.

Ai tha se ka marrë mbështetje për projekte jetike për qytetarët e kësaj komune.

“Klina ka nevojë për mbështetjen e kryeministrit sidomos për çështjen e furnizimit me ujë të pijes së qytetarëve dhe transiti i qytetit e cila është një rrugë e cila e bashkon edhe komunën e Istogut por edhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. Për të dy projektet hasëm mirëkuptim dhe besoj që do kemi mbështetjen e Qeverisë”, tha ai.

Gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e palestrës sportive, në Deçan.