10:40 / E Diele, 07 Gusht 2022 / LB

​Izraeli vret liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez

Izraeli ka vrarë të shtunën liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez, teksa vazhdon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza. Khaled Mansour është vrarë nga sulmet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazas.

Ky pjesëtar me ndikim në grup u ka mbijetuar pesë tentim-vrasjeve nga ushtria izraelite në të kaluarën. Ai akuzohet për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazas.

Gjashtë fëmijë dhe disa luftëtarë të grupit palestinez, përfshirë liderët – Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari – janë në mesin e 29 palestinezëve që raportohet të kenë vdekur.

Rreth 400 raketa palestineze dhe mortaja janë lëshuar në Izrael prej të premtes, ka thënë një zyrtar izraelit.

Izraeli ka thënë se ka nisur operacionet për shkak të kërcënimeve që vijnë nga grupi, Xhihadi Islamik Palestinez.

Kjo dhunë e raportuar përbën përshkallëzimin më serioz në mes të Izraelit dhe Gazës këtë vit.

Në maj të vitit 2021, një luftë 11-ditore ka lënë të vdekur më shumë se 200 palestinezë dhe disa izraelitë.

Palët më vonë janë pajtuar për armëpushim.

Ushtria izraelite ka paralajmëruar se operacioni që ka nisur së fundi mund të zgjasë për një javë.

Xhihadi Islamik është një prej grupeve militante më të fuqishme që operon në Gaza. Ky grup mbështetet nga Irani dhe e ka selinë në kryeqytetin sirian, Damask.

Grupi ka qenë përgjegjës për shumë sulme, përfshirë sulmet me raketa dhe të shtëna me armë zjarri kundër Izraelit.

Deri më tani Hamasi – grupi më i madh militant në Gaza – nuk duhet se po nis raketa nga arsenali i madh që ka. Hamasi ka ideologji të ngjashme me Xhihadin Islamik dhe shpesh koordinohet me të.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të parandalojnë përshkallëzimin.

Me shpresën e parandalimit të dhunës së mëtejmë, Egjipti është paraqitur si ndërmjetësues në mes të dy palëve dhe është raportuar të ketë dërguar një delegacion zyrtarësh në Izrael ditën e shtunë./REL/