16:49 / E Diele, 23 Tetor 2022 / AR

​Kuka pas medaljeve në Grand Slam: Po ecim sigurt drejt Parisit

Me Loriana Kuka-n që fitoi medalje e bronztë të dielën në Grand Slam-in e xhudos në Abu Dhabi, ka përfunduar edhe paraqitja e xhudistëve të Kosovës në këtë garë.

Shumë i kënaqur me këto arritje është shprehur trajneri Driton Kuka, i cili përmes një reagimi në “Facebook” ka thënë se tashmë ekipi është i gatshëm dhe po ecën sigurt drejt Lojërave Olimpike të viti 2024 në Paris.

“Grand Slam Abu Dabi 2022 përfundoi. Loriana Kuka e shkëlqyeshme sot. Medalja e saj e Grand Slam-it pas më se dy vitesh. Kategoria 78 kg, 490 pikë olimpike dhe drejt Parisit tani po ecim të sigurt. Ekipi po ndërtohet prapë për Lojëra Olimpike.”, ka shkruar Kuka.

Ai më pas ka përshëndetur edhe xhudistët tjera për sukseset e arritura si Nora Gjakova dhe Laura Fazliu.

“Nora u rikthye fuqishëm me medalje të argjendtë pas plot 15 muajve. U operua dhe u rikuperua për të nisur rrugëtimin e saj drejt Olimpiadës së Parisit,700 pikët Olimpike për Norën. Laura Fazliu 63 kg, shënoi një fitore por ende larg formës së saj. Ajo do të ndjek rrugën drejt Olimpiades dhe jam i sigurt se do jetë e kualifikuar. Na mbetet të zgjedhim problemet që i ka. Dy medalje për Kosovën tonë.”, ka thënë ai.

Krejt në fund, trajneri më i mirë i xhudos në botë ka renditur medaljet zyrtare që Kosova i ka fituar gjatë këtij viti në xhudo:

Distria Krasniqi 52 kg

Kampionati Botëror e bronztë

Kampionati Evropian e bronztë

Lojërat Mesdhetare e artë

Laura Fazliu 63 kg

Nënkampione Evropiane e argjendtë

Lojëra Mesdhetare e artë

Loriana Kuka 78 kg

Lojëra Mesdhetare e artë

Akil Gjakova 73 kg e Flaka Loxha 57 kg

Lojëra Mesdhetare të bronztë

Kurse për grupmosha sivjet nderin e mbrojti Dardan Cena i bronztë nga Kampionati Evropian U21!