16:40 / E Martë, 28 Prill 2020 / indeksADMonline

​Nesër në Podujevë nis shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë

Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, në takimin e sotëm e ka vlerësuar gjendjen epidemiologjike në komunë dhe masat e ndërmarra, pasi edhe dy persona kanë rezultuar pozitivë me këtë virus.

Në takimin e sotëm, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u tha se dy personat të cilët të hënën kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, janë me vendbanim në Podujevë dhe Llapashticë.

Lidhur me këto dy raste janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre, të familjeve të tyre, me ç’rast janë bërë vizitat nga ekipi mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive.

Gjatë takimit u tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore për aplikimin e masave mbrojtëse dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Shtabi Emergjent apelon te qytetarët që të respektohen vendimet dhe rekomandimet e bëra edhe më herët dhe në raste të tilla varrimet të bëhen vetëm nga rrethi i ngushtë familjar me qëllim të ruajtjes së shëndetit, si dhe të mos organizohen të pame.

Gjithashtu kërkohet nga qytetarët që, pavarësisht se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, të shmangin shkuarjen në iftar dhe vizitat te të afërmit.

Në takim u bë e ditur se nga e mërkura, 29 prill, fillon shpërndarja e 500 pakove të para ushqimore për familjet në nevojë, si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, të siguruara nga buxheti i Komunës së Podujevës.