18:16 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Qeveria do t’i kompensojë komunat për dëmet e shkaktuara nga breshri

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga breshëri nëpër komunat e Kosovës.

Po ashtu, vendimi ka autorizuar Ministrinë e Financave që të fillojë procedurat për krijimin e fondit të veçantë për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019. Në kuadër të përgatitjeve për themelimin e këtij fondi, Qeveria gjithashtu ka vendosur që të krijojë një grup punues për themelimin e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përveç që ka thënë se fermerët do të kompensohen, ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të mos i ndal subvencionet për këta fermerë.

“Shumën e mjeteve nuk e kemi cekur me sa di, por është e ndarë që Ministria e Financave, pra edhe nëse nuk arrijmë sot me marrë vendim, në të ardhmen ta diskutojmë kur kishim mundur dhe si kishim mundur që nga kategoria e shpenzimeve rezervë të ndahet një shumë për kompensimin e dëmeve që kanë ndodhur deri tani. Por, po ashtu propozimin që për vitin që vjen të krijohet një fond i veçantë për kompensimin e këtyre dëmeve. Një veprim mendoj që lidhet me këtë është që, Ministria e Bujqësisë të përshpejtojë ndarjen e subvencioneve të paktën për këta bujq e dëmtuar. Pra, mos t’iu ndalen subvencionet atyre që ju ka dëmtuar kultura, sepse në rast se subvencionet ndahen menjëherë ata mund të ripërtërijnë ose mund të rimarrin aktivitetin e mbjelljes”, tha ai.

Sa i përket buxhetit për kompensim të këtyre fermerëve, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se mjetet do të gjenden dhe dëmet do të kompensohen, por ai tha se me nivelin të cilin e kanë si mundësi reale si shtet.

“Rezerva për momentin e ka një gjendje e cila është kjo, por përveç prej rezervës ne dimë që pas datës 1 tetor hapet mundësia që aty ku ka mjete të lira të cilat për një arsye apo për një arsye tjetër nuk kanë mundur të shpenzohen, të ridestinohen dhe të përdoren edhe për këtë qëllim që t’iu ndihmohet fermerëve që këtë vit janë të dëmtuar. Unë besoj që mund të veprojmë në këtë drejtim edhe prej rezervës, po edhe pas datës 1 tetor do të thotë të rimobilizojmë fonde dhe t’i përdorim për këtë qëllim. Sa i përket pjesës së dytë, unë besoj që Ministria e Bujqësisë e ka në fokus këtë çështje dhe përmes politikave të saj do ta adresojë në mënyrë adekuate”, tha ministri Hamza.

Ndërkohë, për sa i përket krijimi të fondit të veçantë për vitin 2019 ishte Hamza ai që propozojë që si zgjidhje më afatgjate të krijohet një grup punues për themelimin e sistemit të sigurimit të prodhimeve bujqësore.

“Kur bëhet fjalë për krijimin e fondit të veçantë për vitin 2019, duhet të kemi parasysh edhe dispozitat e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Prandaj, bazuar në përvojat e shteteve të tjera mund të thuhet lirisht se ky problem do të adresohet saktësisht dhe do të zgjidhet plotësisht kur atij i qasemi në mënyrë sistemore, pra duke krijuar sistemin e sigurimit të prodhimtarisë bujqësore të vendit me infrastrukturën përkatëse ligjore, institucionale dhe buxhetore. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ende nuk e ka krijuar një sistem të tillë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi paraqiti kërkesën e vetëm katër komunave për kompensim, e që arrijnë shifrën e 6.7 milionë eurove.

“Vetëm në komunat që kanë bërë kërkesë për kompensim të dëmeve, Drenasi, Rahoveci, Ferizaj dhe Lipjani diku deri sot kërkesat e tyre janë 6.7 milionë euro. Javën e kaluar Ministria e Bujqësisë i ka autorizuar pagesat direkte për subvencione për 18 mijë fermerë të cilët do të përfitojnë afërsisht 12.5 milion euro”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në këtë mbledhje ka marrë vendim për të themeluar një komision që do të merret me përgatitjen e propozimit për zgjedhjen e statusit të zjarrfikësve në Kosovë.

Komisioni do të udhëhiqet nga një përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit dhe në përbërje me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Administratës Publike, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Policia e Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ky krijimi i këtij komisioni është i rëndësishëm pasi që do të definojë statusin e zjarrfikësve në Kosovë

“Ky komision do t’i zgjidhë pra dhe do t’i definojë statusin e zjarrfikësve në nivel të vendit, që është diçka e çmueshme dhe e nevojshme. Ekziston një me pozitën e tyre edhe në kuptimin e kompetencave në kuptimin e financave dhe të funksionimit. Kështu që ky grup kish pas mundësi me definua qartë më tutje të ardhmen e zjarrfikësve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe raportin gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2018, i cili do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave Bedri Hamza, i cili e paraqiti këtë raport, tha se raporti për këtë periudhë evidenton të hyrat e përgjithshme në shumën 870 milionë euro.

“Gjithsej pranimet për këtë gjashtë mujor arritën në vlerë prej 870 milionë euro, si rezultat i rritjes së pranimeve buxhetore që arritën në vlerë prej 810 milionë eurove, duke shënuar një rritje prej 6 përqind ose 45 milionë euro me shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së të hyrave të rregullta tatimore. Gjithsej pagesat kanë arritur në vlerën prej 855 milionë eurove me një rritje prej 6 përqind krahasuar me periudhën raportuese të vitit paraprak. Të rritja e shpenzimeve buxhetore kontributin më të madh e kanë dhënë rritja e shpenzimeve kapitale në shumë prej 15 përqind, si dhe shpenzimet rrjedhëse prej 9 përqind. Si rezultat i pranive më të mëdha sesa pagesat bilanci i fondit me 30 qershor 2018 ishte 373.3 milionë euro, që paraqet një rritje prej 15.5 milionë euro krahasuar me gjendjen fillestare të fondit të buxhetit të Kosovës me 1 janar 20 18”, bëri të ditur ministri Hamza.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për krijimin e Task Forcës për pastrimin e ambientit, ky kjo Task Forcë do të merret me organizimin e fushatës dhe aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” nga 15 shtatori deri me 15 dhjetor 2018.

Qeveria e Kosovës i ka vazhduar mandatin për tre vjet, kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërsa, janë propozuar edhe kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku në listën e të propozuarve janë : Fadil Ismaili, Petrit Pepaj, Përparim Kabashi, dhe Bekim Jakupi. Kjo listë e kandidatëve do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, i cili do të bëjë përzgjedhjen e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme e ka marr edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për hua në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin e Autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq. Marrëveshja e nënshkruar i siguron Republikës së Kosovës një hua në shumën prej 80 milionë eurove, e cila do të shfrytëzohet për realizimin  e Projektit të autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq.