07:24 / E Hënë, 06 Qershor 2022 / MSH

​Sot nis festivali “I këndojmë lirisë”

Sot në ora 19:00 në Klinë nis edicioni i 20-të i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”.

Aktivitetet e para në kuadër të këtij festivali, i cili mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor, fillojnë në Çabiq, në ora 11:00 në vendlindjen e Mujë Krasniqit – Kapuçit, njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së.

Në hapjen solemne të festivalit para Kullës Muze të Komandant Kapuçit, me këngë e valle do të paraqiten grupe artistësh, rapsodë e instrumentistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Po ashtu, do të shtrohet sofra tradicionale e këtij fshati, ku në nderim të festivalit dhe të bashkëfshatarit e komandant Mujës do ta shtrojnë sofrën tradicionale me ushqimet tradicionale.

Ndërkaq, në Klinë, gjatë ditës do të zhvillohen aktivitete të tjera. Në Sheshin “Mujë Krasniqi” do të bëhet parakalimi i shoqërive dhe grupeve artistike, ku do të hedhet vallja dhe do të këndohet për Mujën dhe trima të tjerë të UÇK-së.

E veçanta e festivalit është se ai do të mbahet në Sheshin “Mujë Krasniqi”, para shtatores së heroit të kombit, ku është ngritur edhe bina e posaçme për këtë manifestim. Njëkohësisht do të bëhet edhe hapja solemne e panairit me produkte vendore.

Në mbrëmjen e parë konkurruese në skenë do të paraqitën shoqëri artistike, ansamble e rapsodë nga Klina, grupe rapsodë nga Rogova e Hasit, Istogu, Peja, Ferizaj dhe rapsodët vëllezërit Kryeziu nga Mleqani, pastaj Halit Berisha e Bashkim Hoti, Skënder Krasniqi dhe Përparim Sahiti, Jeton Fetiu e Kastriot Seferi. Edhe në dy netët të tjera do të vazhdojë konkurrimi.

Në përmbyllje të festivalit ndahen çmimet kryesore të festivalit. Çmimi kryesor është ai Mujë Krasniqi, vendi i dytë, vendi i tretë, teksti më i mirë i këngës, interpretuesi më i mirë, çmimi i publikut, vallja më e mirë, instrumentisti më i mirë, veterani i festivalit, veshja më autentike etj.