Thaçi dekoron familjen Demaçi me medalje presidenciale
Me medalje presidenciale, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka dekoruar familjen e veprimtarit Adem Demaçi për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Kreu i vendit me këtë rast u shpreh se Adem Demaçi me familjen e tij janë simbol emblematik i kombit, të cilët u kanë mbijetuar vuajtjeve të mëdha.
“Për kontributin tuaj personalisht, familjes, Shqiptarit, Abetares krejt familjes, për aq sa ka vuajtur Baca Adem keni vuajtur edhe ju, ai ka qenë i burgosur, ju keni qenë të përndjekur, por keni mbijetuar dhe keni fituar. E me ju ka fituar edhe Kosova por ka fituar edhe populli i Kosovës kemi fituar lirin, kemi fituar pavarësinë. Baca Adem dhe familja juaj janë familje e pavarësisë së Kosovës, janë simbol i kombit shqiptar, simbol emblematik i kombit”, ka thënë Thaçi
Medaljen presidenciale e pranuan bashkëshortja e të ndjerit, Xhemajlia,djali Shqiptari dhe familjarë tjerë.
Adem Demaçi ka vdekur më 26 korrik(të enjten) ndërsa varrimi i tij u bë të shtunën me nderime shtetërore. Ai u varros në varrezat e dëshmorëve në Velani.
Demaçi i kaloi 28 vjet burg dhe tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare. Në vitin 1991 Parlamenti Evropian ia kishte ndarë Demaçit çmimit Sakharov.