13:43 / E Enjte, 06 Gusht 2020 / indeksADMonline

​Vërshimet nga reshjet e shiut, zjarrfikësit të gatshëm për çdo lloj intervenimi

Reshjet e shiut që kapluan vendin tonë, kanë shkaktuar vërshime në disa zona. Instituti hidrometeorologjik parasheh që edhe në dy ditët e ardhshme do të ketë reshje dhe vërshime.

E kjo ka bërë që të mobilizohen edhe Zjarrfikësit e Kosovës, të cilët janë në gjendje gatishmërie për intervenim në çdo kohë.

Shef i stacionit të zjarrfikëseve Prishtina 2, Abdusamed Shkodra, ka thënë se brenda 24 orëve të fundit, kanë realizuar dy intervenime me sukses.

“Një rast ka qenë në Çagllavicë për shkak të reshjeve do të thotë një automjet kamion paska rrëshqitë prej rrugës dhe është dashtë të intervenohet, ndërsa edhe stacioni i zjarrfikëseve Prishtina 2 ka pas një rast thithje të ujit ku me një kompani ka pas përmbytje të ujit dhe është dashtë të ndërhyhet nga zjarrfikësit për thithje të ujit”, tha Shkodra.

Sa i përket dëmeve materiale, Shkodra thotë se ato kanë qenë shumë të vogla falë edhe ndërhyrjes me kohë të ekipit të zjarrfikësve.

Shkodra tha se zjarrfikësit janë të gatshëm 24 orë në shërbim të qytetarëve me të gjithë kapacitetet e tyre.

“Zjarrfikësit do të thotë janë 24 orë 7 ditë në javë të gatshëm për intervenim, në momentin që kërkohet ndihma e tyre janë të gatshëm që të dalin në përkrahje të qytetarëve”, deklaroi Shkodra.

Ai gjithashtu tha se është përparësi e madhe kur instituti hidrometeorologjik lajmëron para kohe nëse do të ketë reshje ose vërshime për shkaqe që të jenë të përgatitur në çdo moment.

Edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave së bashku me FSK-në, janë shprehur të gatshme për të intervenuar nëse situata përkeqësohet.

Prezenca e ajrit me presion të ulët atmosferik ka bërë që moti të jetë me reshje të shiut, i vranët dhe me shkarkime rrufesh dhe kjo gjendje sipas institutit hidrometeorologjik do të zgjasë edhe për 2 ditët e ardhshme.