23:10 / E Mërkurë, 06 Maj 2020 / indeksADMonline

​Von der Leyen: Bashkëpunimi rajonal thelbësor për rimëkëmbjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor

Bashkimi Evropian riafirmoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen sot në Bruksel, duke shtuar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike të rajonit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët e privilegjuar të BE-së, dhe ne kemi riafirmuar kështu perspektivën e tyre evropiane,” tha Von der Leyen pas Samitit virtual të Zagrebit BE-Ballkani Perëndimor, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, transmeton KosovaPress.

Von der Leyen theksoi se pas tejkalimit të krizës me koronavirus, BE-ja do të fillojë një plan të rimëkëmbjes afatgjatë, duke përmendur se “bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike të rajonit.”

Presidentja e KE-së theksoi se janë të nevojshme reforma konkrete në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përparojnë në negociatat e pranimit, kryesisht në fushat e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimin e administratës publike.

Ajo veçanërisht shprehu kënaqësinë që ky samit u mbajt gjatë Presidencës kroate, “anëtarit më të ri” dhe se gjatë Presidencës kroate iu dha ‘drita e gjelbër’ për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

“Politika e zgjerimit të BE është një nga politikat më të suksesshme që ka përhapur paqen, prosperitetin dhe sigurinë në të gjithë kontinentin dhe do të përfitojë në Ballkanin Perëndimor dhe BE”, tha Von der Leyen.