16:09 / E Martë, 18 Janar 2022 / OSH

1 muaj paraburgim për burrin që e rrahu gruan shuplaka në prani të fëmijëve

– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i
Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.02.2022, ndaj të pandehurit K.P., shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën dhuna në familje, nga neni 248 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka
vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga
provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

Nga data e pavërtetuar, e gjer më 16 janar 2022, në shtëpinë e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri K.P., si pasojë e problemeve psikike që e kanë afektuar, me dashje në vazhdimësi kryen dhunën ose keqtrajtimi fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të dëmtuarës – bashkëshortes së tij si viktimë e ndjeshme, ashtu që si rrjedhojë e problemeve të vazhdueshme familjare që kishin me të dëmtuarën, vazhdimisht ushtron dhunë fizike
dhe psikologjike ndaj të dëmtuarës, dhe me datë 16 janar në momentin kur e dëmtuara kthehet nga puna, me të hyrë brenda në shtëpi, i pandehuri në prezencën e fëmijëve të tyre, e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me shuplaka në fytyrë.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.


Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, respektivisht i pandehuri ka kryer veprën panele në dëm të vlerave të shoqërisë e cila mbron integritetin dhe jetën e njerëzve brenda një
marrëdhënieje familjare, gjithashtu duke pasur parasysh ambientin në të cilin është kryer vepra penale, pra në shtëpinë e përbashkët të të pandehurit dhe të dëmtuarës, ekziston rreziku se me lënien e të pandehurit në liri apo që ndaj tij të mos caktohet paraburgimi, i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, mund ta përfundoj veprën e kanosur penale, por mund të kryej edhe ndonjë vepër penale të natyrës më të
rëndë me pasoja më të mëdha për të dëmtuarën dhe për familjen.


Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në se në rastin konkret caktimi i
paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, andaj edhe Gjykata vendosi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës në kohëzgjatje prej një (1) muaji.