15:58 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

1 muaj paraburgim për të dyshuarin që plagosi gjinekologun

Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.F, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, ka njoftuar kjo gjykatë.

Të pandehurit F.F i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1  muaji dhe atë duke filluar prej dt.13.02.2018 deri me dt.13.03.2018.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.F është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

I pandehuri F.F dyshohet se me dt.13.02.2018, rreth orës 07:38, në lagjen “Marigona”, komuna e Graçanicës, ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin P.G të cilin e ka qëlluar me armë zjarri dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore në kokë dhe gjoks, andaj me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë nga neni 179 par. 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.