17:13 / E Premte, 28 Shtator 2018 / indeksADMonline

Gjykata i jep 1 muaj paraburgim Refik Sadikut, personit që dyshohet se ka marrë ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Refik Sadiku  për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Marrje e ryshfetit nga neni 426 pika 1, të KPK-së.

Sipas njoftimit, të pandehurit R.S i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, nga dt. 27.09.2018 deri me dt. 27.10.2018.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri R.S në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Prishtinës, deri sa ishte në pozitën e drejtorit për investime kapitale ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të tij.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.S është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës, po ashtu ekzistojnë arsyet e bazuara se po të gjendet i pandehuri në liri, do të mund të pengon rrjedhën e procedurës penale duke fshehë, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në të dëmtuarin si dhe në dëshmitarët e tjerë të rastit”, thuhet në njoftim të gjykatës.

Më tutje, theksohet se pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, Indeksonline gjatë ditës së sotme kishte publikuar video inçizimin ku personi në fjalë kishte marrë ryshfetin./Indeksonline/