75 Mall Live Search
15:20 / E Mërkurë, 08 Prill 2026 / KV

Në mbrojtje të atdheut: Rënia heroike e Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala

Me 6 prill, forcat serbe nga mëngjesi filluan të granatojnë fshatin Abri, kryesisht përreth poligonit të Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe lagjeve Hysenaj, Demiqi, Xhemajli, Demaku dhe fshatrat e Tërdevcit. Forcat serbe ishin të vendosura në Likoc dhe Abri e Ulët, te Kulla e Hadakut, ku edhe kishin të vendosur artilerinë dhe ishin në nivel brigade. Tentuan të hynin rrugës kryesore kah lagjja Deliaj, por u zmbrapsën nga një grup i ushtarëve të Brigadës 111 dhe tërë ditën kanë granatuar nga lagësia për ta pastruar terrenin.

Xhevat Demaku ishte udhëheqësi ynë; ai ishte shumë i përgatitur dhe strateg. Citoj Xhevat Demakun, tani dëshmor: “Shokë, forcat serbe po tentojnë të na vrasin nga largësia dhe duhet të keni kujdes. Rrini nëpër shtëpi që kanë plloqa me beton që t’u shpëtojmë minahedhësve që binin kudo dhe të jeni vigjilentë në vëzhgim.”

6 prilli 1999 ishte një ditë e mirë me diell. Në mesditë, Xhevati i tha Bedriut të sigurojmë gjëra ushqimore për darkë. Kjo ishte pothuajse e përditshme që ne të përgatisnim ushqimin vetë, çka gjenim nëpër shtëpi që mund të përgatitnim i merrshim, kryesisht gjëra ushqimore. Bedriu për të përgatitur ushqimin ishte i pazëvendësueshëm dhe gjithmonë e bënte me shumë vullnet.

Bedriu e dinte që një familje atu afër shkollës kishte pasur shitore, dhe menjëherë shkuam duke kërkuar përreth shtëpisë aty afër. Petriti e gjeti duke kërkuar me terfurk. Në pleh me kashtë gjetëm një sandak me dërrasa të mbushur me plot gjëra ushqimore, që ishte një surprizë për ne. Në fund të sandakut ishte edhe një fletore me emra të borxhlinjve të fshatarëve.

Grumbullimin dhe fjetjen e bëjshum në shtëpinë e Sejdi Nebih Demakut. Ne ishim mësuar, dikush kishte gjetur vezë, dikush ndonjë pulë, ndërsa Selimi e kishte nxënë një kingj. Të gjithë u munduam me dhënë kontribut, por Bedriu pa pritur vendosi të na gatuajë petlla dhe bukë. Ajo natë ishte e paharrueshme, me humor të ndryshëm, por më interesantja ka qenë me fletoren e borxhlinjve, ku disa familjarë të shokëve ishin të shënuar në fletoren e borxhlinjve. Selimi dhe Petriti, me humorin e tyre, filluan t’ua falin borxhet filan fistekut, filan fisteku duke i shlyer thuajse të gjithve nga pak, por krejt në cilësi humori ishte natë e paharruar.

Pasi që hangrëm darkën, Xhevati caktoi roje Sheqir Demakun dhe na tha të gjithëve me fjetë e të pushojmë, sepse nesër na priste një ditë e gjatë. Ende pa lindur dielli, më 7 prill 1999, Sheqir Demaku kishte vërejtur grumbullimin e forcave serbe në Likoc dhe te Kulla e Hadakut, dhe menjëherë e kishte thirrur Xhevatin.

7 prill 1999 Xhevat Demaku kishte bërë planin se ku të vendosemi për secilin, grup si në vijim:

Grupi i parë në lagjen Xhemajlaj:
Xhevat Demaku
Besim Vrellaku
Arben Xhemajli
Ilir Demaku
Xheladin Xhemajli
Goni Xhemajli

Grupi i dytë në lagjen Demaku:
Bedri Demaku
Selim Gjinofci
Zymer Krasniqi
Bashkim Demaj
Petrit Morina
Driton Ramaj

Grupi i tretë në lagjen Kurtaj:
Zeqir Kiqina
Nexhat Demaku
Haki Xhemajli
Arsim Ramadani

Grupi që ka ardhur në përforcim nga mëngjesi dhe janë vendosur në shtëpitë e para mbi shkollë ishin:
Zenë Demaku (Snajperist)
Florim Kiqina (Snajperist)
Liman Musliu
dhe dy polic-ushtarakë: Milaim Zabelaj dhe Zenel Zymberaj.

Grupi i dytë përgjegjës ishte Bedri Demaku. Menjëherë jemi vendosur në një depo në lagjen Demaku, aty afër shkollës, dhe ishim: Bedri Demaku, Selim Gjinofci, Zymer Krasniqi. Ndërsa në objekt të shkollës dhe të ambulances ishin: Bashkim Demaj, Petrit Morina dhe Driton Ramaj. Pasi jemi vendosur nëpër pozicione, Bedriu ka mbajtur kontakt me radiolidhje me të gjitha grupet dhe për gjithqka na udhzonte.

Forcat serbe po afroheshin gjithnjë e më afër dhe Xhevati i tregonte Bedris në radiolidhje me emra, duke i njohur fushat, arat dhe drejtimin e lëvizjes të forcave serbe, pasi që ne nga depoja ende nuk i vërenim prej malit. Ne ishim në gatishmëri dhe kishim një pozicion shumë të mirë. Depoja ka qenë e ndërtuar prej tullave dhe çdo dy metra përreth kishte vrima të vogla, që na përshtateshin shumë mirë për luftime.

Tani edhe ne i vërejtëm lëvizjet e forcave serbe. Në mesin e tyre kishte ushtarë, paramilitarë dhe milicë. Bedriu gjithherë u kujdes për ne dhe na tha që pa u afruar përafërsisht 40-50 metra të mos hapim zjarr. Koordinimi i tri grupeve ishte strategji e Komandantit tonë Xhevat Demaku, që mos të vërehemi deri sa të afroheshin në afërsi dhe të kishim mundësi tri grupet të hapnin zjarr njëkohësisht. Ai thoshte se suksesi nuk mungon dhe jemi më pak të rrezikuar nga artileria që ishte e vendosur në Likoc dhe te Kulla e Hadakut.

Xhevati po i thoshte Bedriut në radiolidhje: “Edhe pak, mos gjuani deri sa të dalin në ledin afër furrës, përmbi mal dhe zabel.”

Në momentin që i kemi vërejtur forcat serbe, i kemi mbajtur në shënjestër dhe për çdo moment pritnim me hap zjarr në ta. Bedriu ka qenë motivi ynë: “Mos u ngutni, edhe pak, edhe pak.” Grupi i tretë ka hapur zjarr i pari dhe nga ai moment kemi filluar edhe ne, duke shtënë pa u ndalur, duke i gjuajtur nga të gjitha drejtimet. Forcave serbe u shkonte zhurm e piskam i sulmuam nga çdo anë, ku Bedriu u thoshte: “O ku jeni, çetnikë të Sllavit, s’është kollaj me hi në Abri!”. Kemi luftuar me orë të tëra. Teksa gjuante Bedriu, pushka e tij u bllokua nga një gzhoj që mbeti në tytë. Ai erdhi, ma mori shpinën e armës time dhe së bashku me Selimin e rregulluan brenda pak minutave.

Rreth një skuadër e forcave serbe u fsheh pas furrës së tullave. Selimi doli me mortajë dhe goditi skajin e furrës, duke goditur disa ushtarë serbë. Menjëherë ia përgatita predhën tjetër. Disa ushtarë serbë ngjitën deri afër rrugës kryesore, në fushën e Milimerit. Selimi për herë të dytë doli me mortajë dhe i gjuajti në një grumbull ushtarë serb që tentonin të largoheshin teposhtë zabelit, ndërsa unë dhe Bedriu i mbuluam me zjarr, sepse disa ushtarë serb kishin deporuar për rreth ravinës dhe ishin shumë afër depos. Xhevati po i tregonte Bedriut në radiolidhje se në rrugën te shkolla, anash depos, ishin mbi 20 paramilitarë dhe tentuan të na sulmonin nga ajo pjesë, por Petriti, Bashkimi dhe Dritonin e mbajtën shumë mirë atë pjesë duke i ndalur. Ne i nishim krejt duke bërtitur ju shkojke zhurem sepse disa prej tyre ishin të plagosur dhe nuk ju dilte në ndihmë atyre që ishin në sipërfaqe, të cilët i vërejshim nga të gjitha anët. Më vonë, një serb i plagosur në mes të arës, afër një peme, i vuri vetes bobën e dorës, sepse snajperistët Zena dhe Florimi që ishin te shtëpia e Ramiz Demakut e sulmonin dhe nuk pati zgjidhje tjetër. Një grup ishin fshehur përreth gardhit dhe i vunë flakën malit për të ikur, duke u mbuluar nga tymi. Grupi i parë e shihte më mirë atë pjesë dhe Xhevati e njoftonte Bedrin, duke i thënë të gjuajm rreth gardhit, se aty ishin fshehur një numër i madh dhe nuk po lëviznin (ne e kishim 30-40 metra distancë  gardhi prej depos).

Municion shtesë na ka pru grupi i Zenë Demakut dhe, sa më kujtohet, edhe Habib Hajdari (e di që ka qenë i futur në thas).

Gjatë luftimeve, Xhevati i tregoi Bedris se ishte shumë afër me një paramilitar dhe donte me nxanë të gjallë, dhe i kishte thanë se dot t’ia uli zërin radios. Brenda pak minutash, një snajperist i maskuar e kishte goditur me një plumb në gjoks Xhevatin. Bedriu, duke e thirrur disa herë, “PUMA-PUMA!”, lajmërohu por nuk u përgjigj; aty e kuptuam se i kishte ndodhur diçka ose dyshuam se mos e kishte ndalur radion. Nuk vonoi shumë dhe Bedriu na dha lajmin për vrasjen e Xhevatit. Nga ai moment nuk kemi menduar të mbetemi gjallë asnjë; jemi merzit shumë dhe kemi qajtur me zë. Gjatë luftimeve ishin plagosur edhe Xheladin Xhemajli dhe Besim Vrellaku.

Bedriu ka lëvizur dhe ka shkuar te shtëpia e Ramiz Demakut. Pas një kohe ka kërkuar që edhe unë dhe Selimi të terhiqum nga depoja e të shkojmë atje. I dyti ka shkuar Selimi dhe Bedriu është kthyer edhe njëherë për mua dhe më ka mbuluar me zjarr derisa kam mbërritur te shtëpia e Ramiz Demakut. Aty jemi takuar dy grupet dhe e kemi ngushëlluar njeri-tjetrin për rënien e Xhevatit. Dikush nga komanda madhore i ka kërkuar në radiolidhje te Bedriut që të largohet vëllau i Xhevatit, Nexhati, nga fronti, por ai nuk ka pranuar. Në ato momente kishte ardhur një grup në ndihmë, në atë grup ishte: Regjep Hogja dhe Imer Shala, së bashku me qenin e tij Loren (Lora ishte një qen ushtarak i cili nuk u nda nga Imeri asnjëherë). Regjepi, duke ardhur, u plagos në kodrën e Demakëve dhe u dërgua te mjeku në Tërdevc.  Imer Shala, duke shkuar te Xhevati për t’u dalë në ndihmë shokëve, u godit me plumb dhe ra heroikisht në vend. Pranë tij qëndroi qeni besnik, i quajtur Lora; pas pak, pranë tij u vra edhe Lora. Papritur, vërejtëm një predhë të fuqishme rakete, e lëshuar nga Mokna, e cila goditi murin e shtëpisë së Ramiz Demakut, ku ishim mbledhur grupi i dytë dhe i tretë për të bërë planin që të mos lejonim që trupat e Xhevatit dhe Imerit t’i merrnin forcat serbe. Nga një copë e asaj predhe u plagos edhe Driton Ramaj. Luftimet nuk pushonin për asnjë minutë.

Bedri Demaku e bëri planin për të dalë mbrapa nga lagjja Demiqve dhe të kalojmë te lagjja Xhemajli, me qëllim të tërheqjes së trupave të Xhevat Demakut dhe Imer Shalës. Bedri Demaku, Selim Gjinofci, Zymer Krasniqi dhe Florim Kiqina shkuam deri afër varrezave, ku sot janë të varrosur dëshmorët.

Jemi ulur për të pushuar pas atyre luftimeve të ashpra, kur papritur Bedriu u godit në këmbë nga një predhë. Në atë moment, ia kemi prerë uniformën me thik për t’ia fashuar plagën dhe për t’ia ndalur gjakderdhjen. Por plaga ishte shumë e madhe dhe ia kishte këputur arterien kryesore. E lidhëm fort plagën dhe bëmë gjithçka që mundëm për ta ndaluar gjakderdhjen. Dhe me shpejtësi e kemi bartur deri përfundi varrezave të dëshmorëve. Ne lugështajë na kanë ardhur në ndihmë një grup i ushtarëve të Brigadës 113, dhe me shpejtësi e kemi bartur deri në Tërdevc, ku e kemi dorëzuar në automjet që shofer ishte Skender Halilaj, i cili e ka dërguar me shpejtis te mjeku Gani Halilaj dhe Fadil Beka.

Me Selimin jemi kthyer prapë në Abri, te shtëpia e Sejdi Nehbi Demakut, për të tërhequr trupin e Xhevatit dhe Imerit dhe qenin besnik Lora. Pasi ka rënë terri, së bashku me shokët, dy kufomat i kemi bartur dhe vendosur në odën e Sejdi Nehbi Demakut. Rreth mesnates jemi njoftuar se nga plagët e mëdha ka ndërruar jetë edhe Bedri Demaku.

Ne kemi qëndruar pranë trupave dhe kemi pritë familjarët. Rreth mesnate, erdhën prindërit e Xhevatit dhe Bedris, gjyshja, vëllezërit, motrat dhe shokët. Familja e Imer Shalës ishte në Berish dhe nuk mundi të vinte. Pavarësisht dhimbjes, të gjithë familjarët na jepnin gajret neve! Ne shokët ishim të mbuluar me gjakun e tyre dhe ndjenim dhimbje të madhe për humbjen e shokve që ranë duke luftuar ballë për ballë në mbrojtje të Atdheut.

Rrethanat e asaj kohe na detyruan të hapnim varret natën. Në mëngjesin e 8 prillit i varrosëm, ku edhe sot pushojnë trupat e tyre.

Gjak i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Lavdi e përjetshme!

Rrëfimi është shkruar nga pjesëmarrësi i kësaj beteje, Zymer Krasniqi.