14:15 / E Premte, 24 Nëntor 2017 / B O

Gjykata e Lartë dyfishon dënimin: 13 vite e 5 muaj burg për Oscar Pistorius

Oscar Pistorius dënohet me 13 vite e 5 muaj burg nga Gjykata e Lartë e Apelit për vrasjen e të fejuarës së tij Reeva Steenkamp.

Bëhet fjalë për dyfishim të masës ndëshkimore, pasi në Gjykatën e Shkallës së Parë, atleti paralimpik ishte dënuar me vetëm 6 vite burg. Për herë të dytë prokurorët e çështjes iu drejtuan Gjykatës së Lartë, pasi e konsideruar shumë të butë dënimin e dhënë ndaj sportistit afrikono-jugor.

Ish-kampioni paralimpik u dënua pasi kishte qëlluar me armë zjarri, me pasojë vdekjen, modelen Reeva Steenkamp, me të cilën ishte i fejuar. Vendimi i gjykatësit Thokozile Masipa me vetëm 6 vite burg u konsiderua skandaloz nga Prokuroria, e cila e apeloi çështjen.

Gjatë procesit gjyqësor, avokatët e të akuzuarit kishin këmbëngulur se vrasja ishte aksidentale, pasi, sipas tyre, Pistorius e kishte ngatërruar modelen me një hajdut. Nga ana tjetër, akuza këmbëgulte se gjithçka kishte ndodhur pas një zënke mes të dyve. Dëshmitarë të ndryshëm kishin dëgjuar fillimisht zhurmë nga shtëpia ku jetonte çifti, më pas të shtënat e armës, që i morën jetën modeles.