08:39 / E Mërkurë, 08 Gusht 2018 / indeksADMonline

19 programeve të studimit të universiteteve publike u hiqet akreditimi

Këshilli Shtetëror i Cilësisë  ka tërhequr akreditimin për 19 programe të studimit në universitetet publike,  të cilat më herët kanë qenë të pezulluara. Prej tyre 15 janë në Universitetin e Prishtinës, dy në Universitetin e Pejës dhe nga një në Universitetin e Prizrenit dhe atë të Ferizajt. Tërheqja u bë për shkak të mungesës së stafit akademik, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Akreditim.

Nënkryetarja  e Këshilli Shtetëror të Cilësisë, Vjollca Krasniqi, theksoi se  pas shqyrtimit të 19 programeve të pezulluara të Bartësve të Arsimit të Lartë publik, Këshilli ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit,  për shkak të mungesës së stafit akademik.

“ Tash mund ti shihni në ueb faqen e agjencionit ku disa programeve të cilat kanë qenë të pezulluara, i është hequr akreditimi për  mungese të stafit për një program”ka thënë Vjollca Krasniqi.

15 programe që u është tërhequr akreditimi janë në  Universitetin e Prishtinës. Prorektori i UP, Hysen Bytyqi, i tha Radio Kosovës, se në kohën kur janë pezulluar këto programe, Universiteti i Prishtinës nuk e ka plotësuar kushtin që të ketë të paktën tre profesor me titull doktor shkence.

“ Në fazën e implementimit të programeve studimore ata kanë  dalë me një vendim se fakultetet duhet ti kenë tre profesor me titull doktor shkence  për një program studimor. Në atë kohë Universiteti i Prishtinës nuk i ka pas në disa programe,  sidomos në disa prej fakulteteve kyçe dhe kjo ka ndikuar që një gjë e tillë të ndodhe” tha Bytyqi.

Bytyqi theksoi poashtu se pas këtij vendimi të gjitha strukturat e Universitetit të Prishtinës janë mobilizuar, dhe po punohet në plotësimin e këtyre kritereve në mënyrë që herën tjetër kur të aplikojnë të akreditohen.

“ Menjëherë pas ati vendimi Universiteti i Prishtinës ka pasur një mobilizim total. Ne kemi shfrytëzuar ketë periudhe që të punojmë me dekanët që këto programe në procesin e ardhshëm të akreditimit aty ku ka vend të ristrukturohen apo te rishikohen edhe një herë të aplikojmë dhe të jemi të sigurt që do të marrim akreditim”ka thënë Bytyqi

Shumë programe të studimit në universitete publike dhe private kanë mungese të stafit akademik, dhe për ketë arsye rrezikojnë që në të ardhmen të mbyllen.

 

Temat: