10:46 / E Hënë, 27 Maj 2024 / AR

Kryeministri Kurti ndau çmimin “Best Play” për shfaqjen “Muhammad Ali, the one and only” në PITF 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në Ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit ndërkombëtar të teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”.

Kryeministri Kurti ndau çmimin kryesor të PITF 2024, çmimin “Best Play” (Shfaqja më e mirë) të cilin e fitoi shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnjë e Hercegovina.

“Vende si ky e festivale si ky, ngjarje të këtilla e bëjnë artin kulturë, andaj i falënderoj përzemërsisht e shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar”, u shpreh kryeministri në skenën e Teatrit “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.

Garuesit e këtij edicioni vinin nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjermania, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, derisa festivali kushtuar vlerësimit të figurës së rëndësishme të artit skenik, Burbuqe Berishës, shërben edhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Në natën finale të PITF, përveç kryeministrit Kurti të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Paraprakisht, në natën e fundit të festivalit, kryeministri Kurti ndoqi shfaqjen “Bloody Moon”, nën regjinë e Ana Dorderviqit nga Teatri Kombëtar i Malit të Zi.


Fjala e Kryeministrit Kurti me rastin e ndarjes së çmimit:

Vende si ky e festivale si ky, ngjarje të këtilla e bëjnë artin kulturë, andaj i falënderoj përzemërsisht e shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar.

Kanë filluar të më pyesin pse po shkoj nëpër shfaqje se me gjasë po shkoj shpesh, edhe kur po ju them po shkoj për vete, për qejf,  s’po më besojnë. Kështu që në edicionin e 9-të vitin e ardhshëm mos më dërgoni fare ftesë se vij vetë. Pjesërisht, pa skenar.

Atëherë le t’i shohim nominimet për shfaqjen më të mirë… dhe fituesi për shfaqjen më të mirë në edicionin e tetë të PITF-it është “Muhammad Ali, the one and only”, Bosnje dhe Hercegovina.