10:42 / E Premte, 19 Qershor 2020 / indeksADMonline

21 vite që kur dielli filloi të ndriçoj edhe në Llap

Dy gishta të ngritur lartë, zëra fëmijësh, të rriturish, e edhe të moshuarve po dëgjoheshin në tërë Podujevën duke thërritur “NATO”.
Gëzimit të tyre, llapjanët i kishin bashkëngjitur lule, e duartrokitje pa fund.
Në fytyrat e tyre tashmë kishte pak shpresë, e kjo shpresë i bëri ata të dilnin rrugëve të qytetit të Podujevës, e gjithë gëzimin e tyre ta shfaqnin me aq sa kishin mundësi.

Sofie Rushiti, Muhamed Potera

Secili prej tyre kishte dhënë kontriubutin më të madh nga vetja, të paktën aq sa kishin pasur mundësi, edhe nëse jo të gjithë burrat me armë në dorë, disa prej tyre kishin marrë gratë dhe fëmijët, me mundimin ti fshehnin diku që të mbeteshin gjallë.

Duke u fshehur fshat pas fshati, qytet pas qyteti, duke i zërë nata rrugëve e duke i zbardhur
mëngjesi nëpër shtëpi, podrume, vetura të ndryshme.

Erdhi dita e 19 Qershorit, dhe Dielli lindi e shkëlqente për Llapin e llapjanët.

Ishte 19 Qershori i vitit 1999, dita “e shenjtë” ku të gjitha trupat serbe u larguan nga qyteti me
shtrirje veri-lindore të Kosovës.

Podujeva, dikur qytezë e vjetër e Krahinës së Llapit, e shtrirë në fushëgropën e Llapit u çlirua nga forcat serbe, e sot e asaj dite 19 Qershori mbeti datë e veçantë për të gjithë llapjanët.

Për veçantinë e kësaj dite, emocionet dhe ndjenjën e 19 Qershorit, si gëzim të madh e përshkruan edhe Avni Ajeti, bashkëluftëtari dhe shoku i komandantit Zahir Pajaziti.

Erdhi dita e 19 Qershorit, forcat e UÇK-së vazhdojnë gradualisht duke zbritur nga malet për në qytetin tonë, Podujevën. Pra, erdhi koha kur “Kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviç” të gjunjëzohet.

Avni Ajeti me Komandant Zahir Pajazitin

Z.Ajeti këtë ditë e cilëson si ngjallje të kujtimeve, vuajtjeve dhe sakrificave gjatë luftës, mirëpo brenga e tij është se tash e 20 vite liri, një pjesë e shokëve të tyre vuajnë nga plagët e marra gjatë luftës, dhe si gjënë më të vështirë ai e konsideron se institucionet shtetërore nuk kanë bërë edhe aq sa duhet për rehabilitimin e luftëtarëve, qoftë në aspektin psiqik apo fizik, ku edhe shumë nga luftëtarët vuajnë nga gjendja e rëndë ekonomike.

“Pas shumë sakrificave, mundimeve e humbjeve të shokëve në beteja me armikun, erdhi edhe dita e largimit të forcave serbe nga Podujeva, më 19 Qershor të vitit 1999.

“Ishte njëfarë gëzimi me emocione të përziera si ta them, isha edhe krenar mirëpo edhe ndjenja e dhimbjes për shokët e mi më kishte kapluar, sepse shokët më të afërt të jetës i kisha humbur, dhe as nuk e dija se si do ta ndërtoja jetën pa ta.
Unë dhe shokët e mi ishim ndër të parët që qëllonim armikun në mënyre guerile që nga viti 1995 deri në 1997 ku edhe u vranë ata” thotë Avni Ajeti.

Ai thotë që është krenar për të gjithë luftëtarët, edhe për ata që derdhën gjakun në dheun e kësaj toke, e edhe për ata që lanë gjymtyrët e trupit për lirinë e këtij populli

Pamje nga Dita e Çlirimit të Podujevës

Ndjenjë të veçantë, e krenari të madhe shprehë edhe vëllau i Zahirit, Ejupi.
Mirëpo edhe për të, sot më shumë ngjallë dhimbje sesa gëzim dita e 19 Qershorit.

“Kemi qenë shumë të gëzuar që shpëtuam nga kthetrrat e serbëve, mirëpo gëzimin e emocionet e njejta nuk i kam edhe sot, sepse po më mërzit fakti për gjendjen e tashme të Kosovës”

Ejup Pajaziti thotë që jeta ishte shumë e vështirë edhe mbas 19 Qershorit, ani pse Podujeva u çlirua, masakrimet, plaqiktjet dhe po thuajse çdokund kishin mbetur shenjat nga keqtrajtimet që na u bënë, e kryesisht në zemrat dhe mendjet tona mbetën përherë ato ditë.

Përderisa po rrëfente të njejtën ngjarje, edhe luftëtari Xhavit Sheqiri, thotë se u kthye në kohë, dhe se ato ditë i kishte para syve.

“Dita e Çlirimit të Kosovës në veçanti, por edhe ajo e çlirimit të Podujevës paraqesin për mua kulminacionin e emocioneve, ku dihet se për këtë ditë Zona e Llapit ka dhënë shumë dëshmorë dhe martirë.
Është madje shumë e vështirë të përshkruhet ndjenja dhe gëzimi i asaj dite të cilën aq shumë e kemi pritur” thotë luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Sheqiri.

Xhaviti thotë që data e 19 Qershorit i ngjallë emocione të vecanta çdoherë.
Ndjenjën e përfundimit të luftës, ndjenjën e çlirimit nga okupimi, ai i konsideron si një ndër ndjenjat më të veçanta që mund ti ketë ndokush.

“Ne si pjestarë të UÇK-së në ditën e çlirimit të Podujevës kemi qenë në nivel të detyrës.
Kishim ndjenja gëzimi por edhe pikëllimi për ata që kishin rënë dëshmorë nga mesi i bashkëluftëtarëve tanë. Ne do i kujtojmë gjithmonë, sepse ishin shkaku dhe arsyeja që ne ishim në ato momente feste dhe gëzimi.”

Sheqiri thotë se ndihet i privilegjuar që ishte pjesë e asaj kohe, asaj ushtrie, atyre djemëve dhe asaj embleme e cila është e shkruar më gjakun e bijëve dhe bijave më të mirë të kombit.

Si çdo pjestarë tjetër i UÇK-së, edhe Blerim Zymeri rrëfen të njejtat gjëra. Por për të, emocionet e 19 Qershorit të vitit 1999 janë çdo ditë, që kalon para objektit të Komunës në qytetin e Podujevës, në atë pjesë të qytetit, atij i ngjallë emocion dita që ngritën Flamurin Kombëtar.

“Pas 19 Qershorit, jeta e çdo luftëtari ka qenë si ëndërr, nuk përshkruhet me fjalë, ishte e pabesueshme për ne që ëndrrën tonë po e jetonim në realitet” tha luftëtari llapjan Blerim Zymeri.


Blerim Zymeri, ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në nderë të kësaj dite, vitin e kaluar në Podujevë, për 20 vjetorin e Çlirimit të Podujevës, 5 kilometra larg pikës kufitare me Serbinë u vendosë shqiponja gjigante.
E gjithashtu u bënë organizime të ndryshme në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Mirëpo këtë vit, nuk dihet se a do të këtë ndonjë organizim të veçantë për këtë datë dhe sipas
Drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Podujevë, Donika Sfishta, tha që nuk kanë vendosur të ketë ndonjë organizim.

Shqiponja e vendosur në hyrje të qytetit, 5 kilometra larg pikës kufitare me Serbinë.

*Sofie Rushiti dhe Muhamed Potera, janë studentë të vitit të parë në Degën e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë.