75 Mall Live Search
22:33 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / F.R

”Një republikë, nëse mund ta ruani”, 250 vite nga 4 Korriku 1776

Shkruan: Amir B. Ahmeti, PhD

Kur përkujtohet 4 Korriku, dita e pavarësisë së ShBA, është e rëndësishme të reflektohet edhe mbi sakrificat dhe sfidat që i paraprinë shpalljes së pavarësisë. Lufta për liri dhe pavarësi nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, por ka kërkuar angazhim të paepur dhe sakrifica.

Trembëdhjetë kolonitë e kontinentit të ri, Amerikës, ishin të gjitha koloni britaneze deri në shpalljen e pavarësisë nga Britania e Madhe në vitin 1776.

Më 1774 u mbajt Kongresi i parë Kontinental në Carpenter Hall, në Philadelphia të Pennsylvania-s. Në këtë takim morrën pjesë të gjitha kolonitë, me përjashtim të Georgia-s. Kongresi u zhvillua nën udhëheqjen e George Washingtonit, Patric Henry-it dhe John Hancock-ut. Aty u vendos për të drejtat e kolonive dhe refuzimin e të drejtës absolute të Britanisë mbi kolonitë.

Si gjithëherë që për liri dhe pavarësi duhet të luftohet e sakrifikohet, ditës së pavarësisë së ShBA-së i paraprinë viti revolucionar paraprak, ai i 1775, kur fillon edhe Revolucioni Amerikan, me ç’rast në Concord të Massachusetts u konfrontuan forcat britaneze me ato amerikane. Ky konfrontim la pas 250 ushtarë britanez të vrarë dhe të plagosur kurse amerikanët humbën 93 njerëz. Në të njëjtën kohë Kongresi Kontinental u mblodh në Philadelphia dhe votoi në favor të vazhdimit të rezistencës së armatosur. Njëherit u vendos që forcat ushtarake të kolonive të hynin në një shërbim kontinental dhe unanimisht emëruan George Washington-in komandant të Forcave Amerikane.

Pavarësisë së shteteve amerikane (nga Anglia) i paraprinë, përveç luftërave, edhe iniciativat e shumta të juristëve e liridashësve tjerë amerikan që bënë për pavarësinë e tyre nga kurora mbretërore e Anglisë.

Richard Henry Lee i cili ishte i pari që thirri për një kongres të kolonive. Ai paraqiti rezolutën për deklarimin e pavarësisë së Kolonive të Bashkuara nga kurora mbretërore me 7 Qershor 1776, në Kongresin Kontinental në Philadelphia. Po në këtë kongres u përpilua edhe deklarata e pavarësisë nga Thomas Jefferson-i, i cili ishte caktuar më herët nga anëtarët e kongresit për ta bërë këtë punë. Pas disa ndryshimeve të propozuara nga kongresi, me 4 Korrik 1776, deklarata e pavarësisë u miratua nga Kongresi Kontinental i udhëhequr nga John Hancock. Aty Deklaratën e Pavarësisë e nënshkruan deputetët e 13 shteteve të Kongresit Kontinental.

Prej shpalljes së pavarësisë më 1776 deri te republika federale e SHBA-ve janë 12 vite plotë ngjarje të ndryshme dhe të rëndësishme për historinë e Amerikës. Ndërsa ngjarjet më kryesore që konsiderohen si hapat drejt unionit federal fillojnë me miratimin e Neneve të Konfederatës.

Nenet e Konfederatës u miratuan me 15 Nëntor 1777. Ato përcaktonin të drejtat dhe nivelin e fuqisë së secilit shtet. Aty vërehet se shtetet kishin një autonomi të gjërë. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja kryesore, që Konfederata (e 13 shteteve të pavarura) nuk ishte shteti ideal për jetën ekonomike e sociale si dhe të mbrojtjes së amerikanëve. Qeverisë së re i mungonte dega ekzekutive qendrore, poashtu edhe një gjykatë supreme (e përbashkët) për 13 shtetet.

Alexander Hamilton me përkrahësit e tij nuk do të kishin qenë aq të suksesshëm në fushatën e tyre për një kushtetutë të re sikur gjendja të kishte qenë më e mirë. Kështu në vitin 1786 filloi rishikimi i Neneve të Konfederatës, kurse kuvendi kushtetues u mbajt më 1787 në Philadelphia. Pas 16 javë diskutime, më 17 Shtator 1787, e ku në cilësinë e kryetarit të kuvendit ishte George Washington, kushtetuta e përpiluar, u nënshkrua nga 39 delegatë prej 42 sa ishin present.

Një karakteristikë e zhvillimeve politike në ShBA pas shpalljes së pavarësisë, është se asnjë person nuk arriti të bëhej President për sa kohë që ndonjë nga etërit themelues ishte ende gjallë, pa qenë vetë pjesë e atij brezi. Presidenti i parë, jo nga etërit themelues, ka qenë John Quincy Adams, Presidenti i 6-të me radhë, i cili megjithatë ishte bir i ish presidentit John Adams, njëri nga etërit themelues. Kur Adamsi (i riu) u zgjodh President, vetëm tre nga etërit themelues ishin gjallë, që të tre ish president, John Adams (i vjetri), Thomas Jefferson dhe James Madison. Pra ishte e paimagjinueshme që drejtimin e Republikës ta merrte dikush që nuk kishte kontribuar drejtpërdrejt në luftën për liri dhe pavarësi, qoftë në front, qoftë në angazhimin politik dhe shtetformues. Tani krahasojeni këtë karakteristikë me vendin tonë: ku janë ata që luftuan dhe më pas shpallën pavarësinë, e kush janë ata që sot e udhëheqin vendin.

Pas miratimit të kushtetutës amerikane nga delegatët, dhe kur Benjamin Franklin doli nga Holli i Pavarësisë në Philadelfia, një grua e pyeti: Çfarë vendosët? Një republikë, nëse mund ta ruani, u përgjigj Franklin.

Me 4 Korrik, ShBA i gëzohet 250 vjetorit të pavarësisë, ndërsa Kosova është në 18 vjetorin e saj. Pra edhe ne e kemi Republikën, por në këtë mënyrë si po udhehiqet nuk e di a do të mund ta ruajmë. Zoti na ndihmoftë!