75 Mall Live Search
14:16 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / b l

Dje ndërroi jetë prof. dr. Esat Hoxha, ekolog i shquar i Kosovës

Shkruan: Prof. dr. Behxhet Mustafa

Me datë 30.06.2026, ka ndërruar jetë Prof. Dr. Esat Hoxha, profesor i pensionuar në Universitetin e Prishtines. Familja e tij humbi bashkëshortin dhe prindin shembullor, ndërsa Universiteti i Prishtinës, profesorin e dalluar dhe shumë produktiv.

Humbja është e madhe edhe për bashkëpunëtorët e ngushtë të
profesorit. Esat Hoxha u lind më 1940 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe të mesme (Gjimnazin) i ka kryer në Prishtinë.

Në Prishtinë, kreu Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore degën e biologjisë me 1964. Pas diplomimit ai fillimisht punoi si profesor i Biologjisë në shkollën e Mesme të Bujqësisë e më vonë në Shkollën Normale të Prishtinës. Në vitin 1970 punësohet në Shkollën e Lartë Bujqësore të Prishtinës në thirrje të ligjëruesit ndërsa në vitin 1975 kalon në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore. Studimet postdiplomike nga fusha e Ekologjisë i kreu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Zagrebit në vitin 1976.

Disertacionin e doktoratës e mbrojti në vitin 1979 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës. Esat Hoxha, ishte Doktori i parë shqiptar i shkencave në fushën e ekologjisë së bimëve. Në vitin 1980 zgjidhet në thirrje të docentit ne Departamentin e Biologjisë, ndërsa në vitin 1985 në thirrje të prof. inordinar dhe në vitin 1991 në thirrje të profesorit ordinar.

Janë të njohura studimet dhe kontributet e profesor Esat Hoxhës në fushën e Ekologjisë së bimëve dhe Ruajtjes së natyrës të cilat kanë përfaqësuar një shfaqje të re në këto fusha hulumtimi te ne dhe duke i afirmuar edhe jashtë kufijve të Kosovës. Profesor Esat Hoxha është autor dhe koautor i dhjetëra punimeve shkencore në revistat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si dhe i dhjetëra kumtesave në Kongrese dhe Simpoziume të mbajtura në qendra të ndryshme universitare.

Është autor dhe koautor i disa teksteve Universitare, dispensave universitare si dhe i disa teksteve të Biologjisë për nxënësit e shkollës së mesme të ultë.

Ka qenë mentor, apo anëtar në mbrojtjen e shumë punimeve të diplomës duke përfshirë edhe punime të magjistraturës/master dhe doktoratës. Ka qenë koordinator dhe bashkëkoordinator i disa projekteve shkencore. Gjatë vitit 1999- 2000 ka qenë drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Natyrës.

Ata që e kanë njohur prof. Esatin dhe që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë, e vlerësojnë lart personalitetin dhe kapacitetet e tij njerëzore e profesionale. Ai dallohej në mesin e kolegëve për korrektësi e maturi. Natyrshëm, dallohej edhe me nivelin intelektual.

Profesor Esati është dhe do të jetë shembull i një profesori e shkencëtari të përkushtuar, një njeriu të urtë, të qetë dhe modest që ka fituar dhe merituar respektin nga studentët dhe bashkëpunëtorët e tij. I ka takuar plejadës së profesorëve të cilët kanë kontribuar dhe lënë gjurmë edhe në zhvillimin e hershëm institucional të Universitetit të Prishtinës dhe arsimit të lartë mbarëshqiptar.
Shquhet për kontributin i tij në ngritjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e tij të hulumtimit shtrirjen dhe rrjetëzimin e bashkëpunimit. Profesor Esat Hoxha, do të kujtohet me respekt të thellë dhe mirënjohje për kontributin e tij në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor dhe ka një vend meritor në mesin e figurave të suksesshme të Universitetit të Prishtinës dhe shoqërisë Kosovare.