75 Mall Live Search
19:11 / E Martë, 30 Qershor 2026 / MSH1

Morën ryshfet nga bizneset, këta janë inspektorët e ATK-së ndaj të cilëve u ngrit aktakuza

Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi  ngritjen e aktakuzës ndaj dy inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”.

Burime të IndeksOnline pohojnë se bëhet fjalë për Dukagjin Nikajn dhe Elhami Qorkadiun.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë – inspektorë të ATK-së, dyshohet se në dy raste të ndara gjatë vitit 2022, në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh.

Kjo dyshohet të jetë bërë me qëllim që të mos vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, në të dy rastet, të pandehurit në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej 300 eurosh, për secilin rast.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë, si dhe t’u shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.