16:15 / E Diele, 21 Janar 2024 / Gj. Sh

25 të vrarë nga bombardimet ukrainase në Donetsk

Njëzet e pesë persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur forcat ukrainase bombarduan qytetin Donetsk të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore. Më herët, Denis Pushilin, i emëruar nga Rusia në krye të qarkut, kishte folur për trembëdhjetë të vdekur dhe dhjetë të plagosur.

Sipas Alexei Kulemzin, kryebashkiaku i emëruar nga Rusia, forcat ukrainase bombarduan një zonë të frekuentuar, ku kishte dyqane dhe një treg. Pushilin tha se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje dhe se ekspertët po përpiqeshin gjithashtu të mbledhin fragmente të armëve të përdorura në sulm.

Donetsk është një nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuar nga Rusia vitin e kaluar, një veprim i dënuar nga shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Rusia nuk kontrollon plotësisht asnjë nga katër rajonet.