23:02 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020

25 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës: Familja heq dorë nga kërkimi dhe akuzon ish-kryeministrin Berisha

Pas çerek shekulli kërkimesh të Remzi Hoxhës, biznesmenit të zhdukur nga Kosova në Shqipëri, familja e tij ka vendosur të ndërpresë kërkimet.

Por në këtë përvjetor, djali i tij, Ardian Hoxha ndodhet në Tiranë ku ka thënë se familja e bëri ‘zemrën gurë’ dhe mori një vendim të tillë.

Për më tepër ju ftojmë të ndiqni intervistën e përgatitur nga gazetari i Top Channel, Andi Bora.

Pjesë nga Intervista:

Bora- Pas 25-vitesh përpjekjesh ju vendosët sot në një konferencë, në Prishtinë, që do të hiqni dorë nga përpjekjet për të kërkuar eshtrat e babait tuaj, pse ky vendim?

Hoxha- Siç e dini, ne kemi 25-vite që torturohemi, kemi 25-vite që sorollatemi nga zyra në zyrë dhe nuk gjejmë drejtësi. U deshën 17-vite që të përfundojë një proces gjyqësor. Njerëzit përgjegjës, 9 anëtarët e SHISH-it, ata njihen me emër dhe mbiemër. Ata që e rrëmbyen babain tim në mes të ditës, ditën e shtunë më 21 tetor 1995, që prej asaj dite është pa nam dhe nishan. Ne kërkuam pafund, edhe tani që dihen personat përgjegjës, nuk ka vullnet politik, nga asnjë palë në Shqipëri, pozitë-opozitë, por edhe institucionet e drejtësisë. Nuk ka vullnet që të gjendet e vërteta, që ne familjes të gjenden eshtrat dhe t’i bejmë një varr. Sot janë bërë një çerek shekulli,  25 vite, 60% e jetës sime dhe 80% e jetës së motrës. Ne kërkojmë përgjigje dhe nuk po e gjejmë. Ne e bëmë zemrën gurë, dhe morëm një vendim si ky. Babai im nuk ishte një leckë, e meriton një varr. Babai im ka qenë veprimtar shumë i madh i çështjes së Kosovës, ai dha pasurinë e tij, madje humbi jetën dhe nuk e meriton një trajtim të tillë.

Bora- Z. Hoxha një nga personat, që ju akuzoni përgjegjës për zhdukjen e babait tuaj është edhe Sali Berisha, apo jo?

Hoxha- Po, Sali Berisha, sidomos në intervistat, në Kosovë që atje nuk i dijnë detajet e ngjarjes se si ka ndodhur, thotë se ne ankohemi, se vetëm duam t’i bejmë atij dëm politik. Ne nuk na intereson politika e tij, as PD , as PS, as LSI. Ne na intereson që të dijmë të vërtetën. E vërteta është që ata anëtarë të SHIKU-t, që i ndjeri Xhevat Hana e dërgoi deri në fund çështjen e zbardhjes, janë pas 17-vitesh në dokument publik. 

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë për Krimet e Rënda, nr.2 i datës 22 nëntor nëntor 2002.  

Arben Sefgjini, që është i lirë në Shqipëri. Avni Kolldashi, ky e ka marrë fizikisht në zyrë, e ka pranuar vetë në gjykatë për të ruajtur kokën e tij, që të mos shkojë edhe ai si pjesë e zinxhirit për të humbur gjurmët. Ilir Kumbaro jeton me familjen në Angli, Budjon Meçe ka vdekur para 2 vitesh dhe nuk kanë bërë asgjë, derisa ishte gjallë shteti shqiptari edhe përkundër përpjekjeve tona.

Bora- Do të bëni ndonjë denoncim në SPAK?

Hoxha- Ne vërtetë kemi humbur besimin në SPAK; por i bëj thirrje publike, të merret me rastin. Ka edhe deklaratat e Izet Haxhisë, që tregojnë elemente të reja inkriminuese. Shqipëria t’i heqë nga vetja këto akuza publike. Por ne varrin do t’ja bëjmë, vari do të jetë i hapur, eshtrat le të vijnë, le të vijnë, vendin e kanë./Topchannel/