11:04 / E Hënë, 05 Qershor 2023 / L K

275 të vdekur nga aksidenti tragjik mes 3 trenave në Indi

Disa ditë pas tragjedisë më të madhe hekurudhore në dekada, ka rinisur sot lëvizja e trenave. Sipas autoriteteve indiane, 275 persona kanë vdekur nga përplasja fatale e 3 trenave të premten.

Nga 1175 të plagosurit, 382 janë ende të shtruar në spital. Por ende ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet pasi spitalet janë plot me të plagosur, shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Ministri indian i Hekurudhave Ashwini Vaishnav tha ditën e djeshme se janë identifikuar shkaqet dhe përgjegjësit për tragjedinë e trenit që ndodhi të premten në pjesën lindore të vendit.

Treni i pasagjerëve u përplas me një tren tjetër me shpejtësi 130 kilometra në orë. Kjo nuk është hera e parë që India përballet më një aksident kaq të rëndë.

Aksidenti më i rëndë hekurudhor në vend ndodhi më 6 qershor 1981, kur shtatë vagona të një treni ranë në lumin Bagmati, duke shkaktuar 800-1000 viktima./abcnews.al