16:56 / E Enjte, 26 Mars 2020 / indeksADMonline

32 pacientë të shtrirë me COVID19 – 7 prej tyre janë në oksigjeno-terapi

Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke qëndruar 32 pacientë të prekur nga pandemia koronavirus.

Gjendja e 25 prej tyre është stabile, ndërsa 7 pacientë për shkak të gjendjes më të rënduar janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, tha përmes telefonit për KosovaPress, se këto të dhëna i kanë pranuar sot paradite nga Klinika Infektive.

Në bazë të këtij raporti, ai tha se edhe një pacient ka qenë në pritje të rezultatit për COVID-19.

“Çdo ditë deri në ora 10:00, Klinika Infektive dërgon raportin për pacientët e prekur nga COVID, të cilët janë duke u trajtuar. Në bazë të raportit të sotëm të lëshuar në orët e paradites, ka pasur 32 pacientë të hospitalizuar. Prej tyre 25 në gjendje stabile shëndetësore, ndërsa 7 të tjerë janë në tretman me oksigjeno-terapi për shkak të gjendjes pak më të rënduar. Një pacient tjetër, në momentin kur është dërguar raporti, ka qenë në pritje të rezultatit për COVID19”, tha Hoti.

Hoti ka thënë se pacientët e shtrirë në Infektive janë të moshave të ndryshme.

Deri më tash në Kosovë janë konfirmuar 71 raste me koronavirus, prej tyre një i vdekur.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash kundër përhapjes së koronavirusit, ndër to edhe kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve në kohë të caktuar.