17:14 / E Diele, 03 Dhjetor 2023 / C E

32 vjeçari Bajram Neshati merr drejtimin e projektit më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë!

Shkruan: Demir Reshiti

Opojani Bajram Neshati, në 27 nëntor të vitit 2023, është zgjedhur Drejtor i projektit të ruajtjes së energjisë, projekt ky me vlerë prej 181 milionë dollarësh amerikanë, që njëherësh është projekti më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë në dekada. Projekti në total kap shumën prej 237 milionë dollarësh (202 milionë dollarë grant nga Qeveria amerikane dhe 35 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës).

Bajram Neshati është i lindur më 16.04.1991 në fshatin Kuklibeg të Opojës. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje ku është dalluar për sukses dhe sjellje shembullore. Si fillorist ka marrë pjesë në kuize dhe gara të ndryshme diturie në nivel komunal, rajonal dhe kombëtar. Shkollimin e mesëm (gjimnazin e përgjithshëm) e ka kryer në Sharr me sukses dhe sjellje shembullore. Fakultetin e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike (FIEK), drejtimi sistemet elektroenergjetike e ka përfunduar në afat rekord dhe me notë mesatare të lartë në Universitetin e Prishtinës (UP). Si student i dalluar, krahas bursës universitare ka përfituar bursë edhe nga KOSTT-i. Edhe studimet e nivelit master i ka përfunduar gjithashtu në afat rekord dhe me notë mesatare të lartë në Fakultetin e inxhinierisë elektrike dhe kompjuterike (UP) ku ka përfituar bursë nga MASHT. Në të njëjtin fakultet (FIEK) në nëntor të këtij viti (2023) është pranuar në studimet e doktoratës në programin inxhinieri elektrike dhe kompjuterike.

Bajrami është autor dhe bashkautor i disa punimeve shkencore nga lëmi i energjetikës të publikuara në revista të njohura ndërkombëtare. Ka qenë gjithashtu pjesëmarrës aktiv në konferenca, punëtori, simpoziume, forume e të ngjashme, vendore e ndërkombëtare. Ka kryer gjithashtu trajnime të panumërta, kryesisht profesionale, në vend dhe jashtë vendit nga të cilat është pajisur me certifikime adekuate. Dy vite akademike ishte asistent në FIEK.

Edhe pse në moshë të re, Bajrami ka nëntë vite përvojë pune profesionale në KEDS dhe KESCO, nga të cilat tetë vite në pozita të larta udhëheqëse! Falë aftësive dhe shkathtësive të larta profesionale është caktuar anëtar në pesë grupe punuese ndërkombëtare në sektorin e energjisë në kuadër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë të Vjenës, ku Kosova është anëtare e traktatit; Anëtar i Grupit punues për Sigurinë e Furnizimit me Energji në Evropën Juglindore me USAID/USEA; Anëtar i Grupit punues nacional për hartimin e ligjit për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE); Anëtar i Grupit punues për hartimin e strategjisë së Energjisë së RKS (2023-2032); si dhe Anëtar i Shoqatës profesionale CIGRE KN Kosovë.

Nga korriku i këtij viti është i angazhuar në Ekipin për zhvillimin e projektit Kompakt të MCC-së amerikane, ekip ky i themeluar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës në vitin 2019.

Në 27 nëntor të vitit 2023, është zgjedhur Drejtor i projektit të ruajtjes së energjisë, projekt ky me vlerë prej 181 milionë dollarësh amerikanë i cili njëherësh është projekti më i madh në sektorin e energjisë në Kosovë në dekada. Projekti në total kap shumën prej 237 milionë dollarësh (202 milionë dollarë grant nga Qeveria amerikane dhe 35 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Republikës së Kosovës).

2023 vit i arritjeve të mëdha të Bajramit

Viti 2023 ishte njëri nga vitet më të suksesshme në karrierën profesionale të Bajram Neshatit. Në një postim në profilin e tij në facebook, Bajrami është shprehur se ndihet i lumtur por edhe i emocionuar që ka marrë drejtimin e projektit më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë, në dekada! Ai me këtë rast (në gjuhën angleze) i ka renditur disa nga të arriturat më të mëdha profesionale gjatë vitit 2023 të cilat, të përkthyera në gjuhën shqipe, po ia bashkëngjis këtij shkrimi:

1. Në pranverë, pjesëmarrës në Programin e Lidershipit për Vizitorët e Huaj (IVLP), financuar nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së;

2. Në verë i bashkëngjitet projektit Kompakt të MCC-së, si pjesë e CDT-së (Ekip i themeluar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës në vitin 2019);

3. Në vjeshtë pranohet në studimet e doktoratës (PhD); dhe

4. Tani së fundmi kur dimri po afrohet, zgjidhet Drejtor i Projektit të Ruajtjes së Energjisë përmes Sistemit të Baterive (BESS), në kuadër të Millennium Challenge Account Kosovo (Entiteti përgjegjës për implementimin e projektit Kompakt të MCC-së në vlerë prej 237 milionë dollarësh amerikanë).

Në fillim të muajit prill të këtij viti kam bërë një artikull të shkurtër kushtuar pjesëmarrjes së Bajramit në International Visitor Leadership Program (IVLP) i cili është programi kryesor i shkëmbimit profesional i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.  Shkrimin e titulluar: Opojani Bajram Neshati pjesmarrës në International Visitor Leadership Program (IVLP)!, po ia bashkëngjis këtij shkrimi.

#IVLP është programi kryesor i shkëmbimit profesional i Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Njoftimin e ka bërë vetë Bajrami në profilin e tij në fb duke theksuar ndër të tjera se është një nder i madh për të dhe padyshim një nga momentet më të rëndësishme në karrierën e tij profesionale…

Më poshtë e gjeni postimin e plotë të Bajramit.

Të dashur miq,

Kam kënaqësinë të ndaj ju njoftimin se jam përzgjedhur për të marrë pjesë në programin International Visitor Leadership Program #IVLP, programi kryesor i shkëmbimit profesional i Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky është një nder i madh për mua dhe padyshim një nga momentet më të rëndësishme në karrierën time profesionale.

IVLP është një program prestigjioz që ka nxjerrë mbi 500 krerë shtetesh ose udhëheqës qeverish, aktualë apo të kaluar, si alumni të tij. Ky program është krijuar për të rritur aftësitë udhëheqëse, zhvillimin e rrjeteve profesionale dhe nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Liderët aktualë dhe ata në shfaqje, nga vende të ndryshme, në një sërë fushash, përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejtpërdrejtë dhe kultivojnë marrëdhënie të qëndrueshme me homologët e tyre amerikan.

Projekti ynë për këtë program titullohet “Zhvillimi i një Plani Kombëtar të Mbrojtjes së Infrastrukturës Kritike”. Rrjetet e energjisë luajnë një rol të rëndësishëm në infrastrukturën kritike të një vendi. Gjatë programit, do të mësojmë praktikat më të mira dhe qasje të reja për të mbrojtur më tutje infrastrukturën e vendit tonë.

Gjatë programit, do të vizitojmë disa shtete dhe qytete të SHBA-ve për 3 javë rresht. Do të kemi takime me shumë institucione, agjenci e kompani, ndër tjerash. Krahas përvojës profesionale, do të kemi mundësinë të marrim pjesë edhe në aktivitete kulturore dhe rekreative lokale në çdo qytet që vizitojmë.

Përfitoj nga ky rast për të shprehur mirënjohjen time më të thellë për stafin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Departamentin e Shtetit në Uashington DC për nominimin respektivisht miratimin e tyre për IVLP.

Pres me padurim të ndaj përvojat e mia në Kosovë dhe të zbatoj njohuritë dhe aftësitë e marra nga ky program në dobi të komunitetit dhe vendit tim.

Ta urojmë të gjithë. Urime Bajram, të priftë shëndeti dhe e mbara!