20:50 / E Hënë, 12 Nëntor 2018 / indeksADMonline

40 vjeçari shqiptar me identitet të rremë në Belgjikë, i akuzuar për vepra të ndryshme

Një shqiptar, i cili aktualisht ndodhet në burg për vrasjen e një prostitute në Itali, është dënuar edhe me 18 muaj burg të tjerë nga një gjykatë belge.

Erjon Sejdiraj, 17 vjet më parë, mori pjesë në vrasjen e një prostitute 20-vjeçare dhe për këtë krim u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë në shtetin fqinj, pasi arriti të arratisej.

Ai shkoi në Belgjikë dhe për vite me radhë arriti që t’i fshihej drejtësisë falë identitetit të rremë.

Shqiptari 40-vjeçar u vendos në West-Flemish Geluwe, ku u martua dhe bëri tre fëmijë, derisa u zbulua nga autoritetet belge, 9 vite më parë. Sejdiraj u lejua që ta vuante dënimin për vrasjen në Itali në shtetin belg, ku u dënua me 17 vjet burg.

E teksa aktualisht po vuan këtë dënim, një gjykatë e dënoi këtë të hënë edhe më 1 vit e gjysmë burg, për një tjetër gjyq që po zhvillohej ndaj tij për mashtrim e falsifikim, për shkak të identitetit fals që kishte përdorur në këtë vend. Mediat belge shkruajnë se prokuroria kishte kërkuar 3 vjet burg për Sejdiraj, megjithatë gjykata vendosi që ta dënonte me 18 muaj, si dhe me gjobë.