16:25 / E Enjte, 06 Gusht 2020 / indeksADMonline

441 pacientë me koronavirus po trajtohen në QKUK dhe spitale, 11 në respiratorë

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka publikuar edhe raportin për pacientët e shtrirë në QKUK dhe spitale rajonale.

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka njoftuar se në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet rajonale janë duke marrë trajtim 622 pacientë ku 441 prej tyre janë të konfirmuar me koronavirus.

Sipas njoftimit 11 pacientë të prekur me koronavirus janë duke u trajtuar me koronavirus, kurse 35 me makinën për frymëmarrje, sipas metodës CPAP, kurse 385 janë me oksigjenoterapi.

Siç bëhet e ditur, Klinika Infektive në QKUK vazhdon të jetë më e ngarkuara me numër të pacientëve të infektuar me koronavirus dhe aktualisht në këtë klinikë janë duke marrë trajtim 104 pacientë të konfirmuar me COVID-19.

Në anën tjetër edhe në Klinikën e Pulmologjisë janë 76 pacientë të konfirmuar me koronavirus që janë duke u trajtuar, kurse në Mjekësinë Sportive janë 26 dhe në Klinikën e Neurologjisë janë 24 pacientë, ndërkaq në Klinikën Pediatrike janë dy pacientë të konfirmuar me koronavirus dhe në Klinikën Obstetrike Gjinokologjike janë 3 pacientë.

Sa i përket pacientëve në spitalet rajonale, numri i të prekurve me koronavirus që janë të shtrirë në spitalet rajonale është 206.

Sipas njoftimit më së shumti pacientë me koronavirus janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit, të pasuar nga ai i Pejës, Gjilanit dhe Ferizajt.

Ndërkaq në Spitalin e Gjakovës dhe atë të Vushtrrisë numri i pacientëve me koronavirus që po marrin trajtim mjekësor është 42, pra 22 në Gjakovë dhe 20 në Vushtrri.