23:09 / E Diele, 06 Nëntor 2022 / AR

Dorëhiqen 13 pjesëtarë serbë të sigurimit në EULEX

Pas disa policëve serbë që dorëzuan dorëheqjet e tyre të dielën, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa serbë që punonin si sigurim i jashtëm në EULEX.

Ata ishin pjesë e kompanisë “Balkan International Security”, ka raportuar mediumi serb Kossev.

Një nga të dorëhequrit ishte edhe Ignjat Vuletiq.

Ai ka thënë se para disa ore kanë dhënë dorëheqje kolektive, sepse “nuk duan të jenë të vetmit serb në stacionin policor në Mitrovicë”.

“Ne donim të shihnim se çfarë do të bënte policia, pasi i shohim çdo ditë. Kur pamë që u dorëhoqën, nuk patëm çfarë të kërkonim. Nuk do të ndiheshim rehat nëse do të ishim të vetmit serbë në stacionin policor verior sonte, nesër dhe në të ardhmen”, ka thënë ai.