12:50 / E Enjte, 10 Tetor 2019 / indeksADMonline

56-vjeçari austriak u ka shitur leje qëndrimi 29 kosovarëve: 9.000 euro për person

Në Gjykatën e Landit Wiener Neustadt ka nisur të mërkurën një proces i madh gjyqësor ndaj 51 personave të akuzar. I akuzuari kryesor është një zyrtar 56-vjeçar austriak, i cili ngarkohet se u kishte shitur të huajve leje qëndrimi në Austri, njofton APA-ja (Agjencia Austriake e Lajmeve).

Krahas tij, akuzohen edhe tre ndërmjetës si edhe 47 personat që kanë përfituar me pagesë lejet e qëndrimit. Ndër ta janë 29 shtetas kosovarë.

Sipas deklarimit të avokatit të tij, i akuzuari kryesor (zyrtari 56-vjeçar) ka pranuar pjesërisht fajësinë, gjegjësisht keqpërdorimin e pozitës zyrtare, por ka hedhur poshtë akuzën për korruptim, transmeton albinfo.ch. I përmenduri akuzohet se ka shpërndarë leje qëndrimi për të huajt, pa pasur mbështetje në ligjin mbi azilin.

Duke e bërë këtë, ai asnjëherë nuk ka ndarë vendime pozitive të azilit (njohje të statusit të qëndrimit mbi bazën e kërkimit të azilit), por leje të ndryshme qëndrimi.. Për këtë shërbim ai kishte marrë para: disa mijëra euro për secilin rast.

Akuzat ishin bërë për herë të parë të njohura në prill të vitit 2017. Zyrtari në fjalë ka qenë i punësuar në një zyrë të jashtme (degë) të Entit Federal për të Huaj dhe Azil (BFA). Pas bërjes të njohur të rastit, ai është pezulluar nga puna.

Veç 29-kosovarëve, në grupin e përfituesve janë edhe 7 shtetas të Serbisë, 6 të Maqedonisë, 2 të Bosnjës, një nga Kroacia, një nga Ukraina dhe një nga Moldavia.

Mediat e tjera austriake shkruajnë po ashtu se në varësi nga përkatësia shtetërore ata kanë paguar deri në 9.000 euro për person, përcjell albinfo.ch. Sipas tyre, një përkthyese boshnjake ka shërbyer si ndërmjetësuese dhe ajo ka marrë për secilin rast  të ndërmjetësuar nga 500 euro.

Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve: 51 të akuzuar, 51 avokatë dhe katër përkthyes, në sallën e gjykatës ishte bërë ngushtë, paraditen e të mërkurës. Për këtë arsye procesi është përcjellë përmes transmetimit me video xhirim në sallën e dytë.

Po kështu, për shkak të numrit të madh të të akuzuarve, janë paraparë 16 seanca gjyqësore deri më 18 dhjetor.

I akuzuari kryesor, në rast se dënohet, pritet të marrë një dënim me burgim deri në 5 vjet.