Javën e ardhshme, Qeveria me një plan konkret veprimi për rimëkëmbjen ekonomike

Javën e ardhshme Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti pritet të dalë me një plan konkret veprimit për rimëkëmbje ekonomike.
Kështu është bërë e ditur pas takimit midis ministrit të Drejtësisë Selim Selimi dhe atij të Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi, transmeton IndeksOnline.
Gjatë këtij takim, njofton komunikata dy ministrat diskutuan po ashtu për koordinimin mes dy institucioneve në fushën e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e bazës ligjore per implementimin e planit të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë.
“ Sot kam pritur në takim ministrin Kuçi, ku diskutuam rreth implementimit të planit për rimëkëmbje ekonomike. Jam i lumtur që sundimi i ligjit është baza e planit të rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se plani për rimëkëmbje ekonomike është i nevojshëm andaj sipas tij, Ministria e Drejtësisë do të ofrojë ndihmë në përgatitjen e legjislacionit për implementimin e tij.
“ E sigurova ministrin Kuçi, se Ministria e Drejtësisë me kapacitetet që ka, qoftë në ndihmesën e përgatitjes së legjislacionit apo ndihmë në raport me institucionet e tjera dhe ato të sundimit të ligjit, do të jetë në dispozicion të plotë të implementimit të planit të rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi ministri Selimi.
Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, tha se vizita e tij në Ministrinë e Drejtësisë ka për qëllim dërgimin e mesazhit që sundimi i ligjit është bazë e zhvillimit ekonomik.
Ministri Kuçi tha se shpreson se Qeveria e Kosovës javën e ardhshme të dalë me një plan konkret veprimi për rimëkëmbjen ekonomike.